Hamza në hapje të fushatës: Qytetarët po luftojnë me krizën, Kurti me të gjithë

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 7 qershorit.

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza është shprehur se Kosova është në krizë ekonomike, sociale e politike si pasojë e keqqeverisjes tash e 6 vite.

“Kjo krizë është rezultat i gjashtë viteve të arrogancës, konfliktit dhe mungesës së rezultateve. Për gjashtë vite kemi dëgjuar arsyetime. Për gjashtë vite kemi dëgjuar propagandë. Për gjashtë vite kemi dëgjuar viktimizim”, theksoi kreu i PDK-së.

Hamza tha se këto zgjedhje janë për ta ndryshuar Kosovën: për familjet që nuk po arrijnë t’i paguajnë faturat, për pensionistët që detyrohen të zgjedhin cilat barna mund t’i blejnë, për të rinjtë që diplomojnë dhe mendojnë si të largohen nga vendi dhe për bizneset që mezi po mbijetojnë, sepse Kosova meriton më mirë.

Ai kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për qasjen konfliktuale në raport me partitë tjera politike, me bizneset, me komunat dhe me aleatët ndërkombëtarë.

“Derisa ju luftoni me faturat, me kreditë, me çmimet, me pasigurinë për të ardhmen e fëmijëve tuaj, Kryeministri aktual lufton me të gjithë. Lufton opozitën. Lufton bizneset. Lufton mediat. Lufton komunat. Lufton edhe aleatët tanë strategjikë. E derisa ai lufton me të gjithë, Kosova stagnon. Miqtë e mi, Kosova nuk ka më kohë për drama politike. Kosova ka nevojë për punë. Ka nevojë për stabilitet. Ka nevojë për lidership serioz. Ka nevojë për rezultate”, u shpreh Hamza.

Të ngjashme

Të fundit