Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës.
“Me reforma që forcojnë barazinë dhe përmirësojnë standardin jetësor, ne do t’i përgjigjemi kërkesave të tregut dhe përmes Fondit të Papunësisë do të ofrojmë mbështetje edhe për punëtorët që i humbin vendet e tyre të punës. Me mua kryeministër, asnjë qytetar, asnjë punëtor, në asnjë rrethanë, nuk do të lihet i vetmuar në përballje me problemet e përditshme të jetesës dhe nuk do të ndjehet i braktisur nga shteti i tij”, ka shkruar Hamza.
Krijimi i Fondit të Papunësisë do të ofrojë përfitime për një periudhë të caktuar, duke ndihmuar qytetarët t’i përballojnë nevojat e përditshme të jetesës në rast humbjeje të punës. Ky fond do të ofrojë edhe mundësi për zhvillim të shkathtësive për të papunët, për t’iu lehtësuar rikthimin në tregun e punës.