Kandidati i PDK për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar heroin Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies, shkruan Scanner.
“Heronjtë janë gjithnjë të veçantë dhe i tillë është edhe Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës gjatë agresionit në Banjskë, më 24 shtator 2023. Polic i përgjegjshëm, prind i mrekullueshëm, qytetar i devotshëm dhe njeri shumë fisnik”, shkruan Hamza
Postimi i plotë:
Heronjtë janë gjithnjë të veçantë dhe i tillë është edhe Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës gjatë agresionit në Banjskë, më 24 shtator 2023. Polic i përgjegjshëm, prind i mrekullueshëm, qytetar i devotshëm dhe njeri shumë fisnik.
Sot, një vjet më pas, nderojmë jetën dhe veprën e heroit Afrim Bunjaku dhe vlerësojmë vendosmërinë, guximin dhe shërbimin e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që me këmbëngulje deri në vetëmohim përkushtohen çdo ditë për rend dhe ligj në tërë territorin e Kosovës.
Sot, një vjet më pas, vlerësojmë lart punën e institucioneve të drejtësisë, punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka arritur të grumbullojë mjaftueshëm fakte dhe ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë.
Agresioni në Banjskë ishte prej sulmeve më të mëdha të pasluftës mbi Republikën e Kosovës dhe shprehim mirënjohje edhe për pjesëtarët e KFOR-it dhe të gjitha shtetet partnere, që në forma të ndryshme ndihmuan atë ditë dhe po kontribuojnë vazhdimisht për forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon.
Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i shërbyer atdheut sesa duke iu shërbyer qytetarëve pa dallime, duke e ruajtur rendin publik dhe mbrojtur sovranitetin e Republikës së Kosovës, si shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj.
https://www.facebook.com/share/p/8axNEufbvtjEW8RW/?mibextid=oFDknk