Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për IndeksOnlinen ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke e cilësuar situatën si të rënduar dhe me pasoja të ndjeshme për qytetarët.
“Pasojat janë evidente, të prekshme e të ndieshme nga secili qytetar! Gjithë kjo zhurmë militariste, e kakofoni e pozitës, kryeministrit e presidentes etj. Po i ngjanë asajë përrallës që e kemi mësuar të gjithë, pra kur Rrahmani e gënjen fshatin që Ujku ka rënë në tufën e deleve, përderisa ato janë barë të patrazuara nga askush, sjell paknaqësi te fshatarët, por kur vërtetë sulmon ujku, edhe pse “Bariu” i thërret fshatarët për ndihmë, të gjithë kanë të njejten përgjigje “po gënjen”. Prandaj përplasjet politike të cilat po ndodhin për pushtet, kanë krijuar mosbesim ndaj pozites e opozitës”, ka thënë Haliti.
Haliti ka vënë në pah edhe mungesën e përqendrimit në programet politike dhe zgjidhjet konkrete për vendin, duke vlerësuar se fokusi është zhvendosur tek individët.
“Para ca ditësh e dëgjova një deklaratë nga një eksponent i kryesisë së PDK që tha, ‘së shpejti do kemi kryeministrin e PDK’, vetvetiu lind pyetja, a kaq e rëndësishme qenka të jetë dikush kryeministër? Pozita e opozitat, kanë hallin e individëve dhe jo të programit realist e të zbatueshëm”, vlerësoi ai.
Ai më tej theksoi se kriza politike ka prodhuar pasoja serioze në funksionimin e institucioneve dhe në besimin e qytetarëve ndaj tyre.
“Pasojat e mos krijimit të institucioneve janë të rënda. Së pari është krijuar kaos gënjeshtrash politike që askush si beson, qoftë pozites, qoftë opozitave. Debatet për zbatueshmërinë apo moszbatueshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe lufta absurde dhe e papërgjegjëshme kundër sajë, e ka dëmtuar reputacionin e besimin nga brenda e jashtë vendit, qe ne jemi duke ndërtuar një shoqëri demokratike me themele të demokracisë përendimore”, tha Haliti.
Në fund, Haliti thekson nevojën për vetëdijesim qytetar dhe përgjegjësi të përbashkët në përballje me situatën aktuale.
“Besimi në institucione dita-ditës po humbet, përgjegjës jemi të gjithë, ish-ministrat, Kryeministri, Presidentja, deputetët, partitë politike, por edhe indiferenca e popullit dhe besimi që gjërat zgjidhen vetvetiu. Pra në këtë rast duhet edhe presioni i popullit”