Deputeti Haki Abazi ka thënë se një Asociacion me kompetenca ekzekutive një-etnike fillon bazën e formimit të një “Republika Srpska” dhe një gjë e tillë duhet përjashtuar me çdo kusht. Sipas tij, ajo që duhet të fillojë është draftimi i një statuti të një Asociacioni në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili viteve të fundit është bërë lobues i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që në të kaluarën e quante “Zajednicë” dhe e kundërshtonte, tani ka thënë se fillimi i draftimit të një Asociacioni bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese është i nevojshëm.
Abazi ka thënë se nisja e një draftimi të tillë do të shërbente në largimin e tendencave të Serbisë, e cila vazhdon të mbështetet në marrëveshjen e nënshkruar dikur, por që sipas Gjykatës Kushtetuese, e njëjta bie ndesh me nenet.
Megjithatë, ky konstatim i Abazit është tërësisht i paqëndrueshëm, sepse edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Asociacioni mund të formohet sipas marrëveshjes së vitit 2013, që ai e cilëson si “marrëveshje të nënshkruar dikur”.
“Fillimi i një draftimi të statutit të një Asociacioni në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i domodsoshëm për ta hequr krejt këtë idenë se Serbia duke u thirrur mbi atë marrëveshje të nënshkruar atëherë, ngrit barrikada, krijon tensione sa herë që i teket ta sabotojë procesin. Unë mendoj që këtu është racionaliteti brenda të cilit dhe kërkesa amerikane, por edhe e disa shteteve evropiane, siç është Franca dhe Gjermania qëndron mbi faktin që tanimë është koha që të fillohet draftimi i këtij statuti në bazë të ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Abazi.
Sipas deputetit Abazi, pjesën kryesore të kompromisit e ka opozita.
“Mendoj se pjesën kryesore të kompromisit në këtë moment duhet t’a bëjë vetë opozita, sepse është gjeneratori i produktit final të marrëveshjes që ka përfshirë Asociacionin”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, gjersa është pajtuar me analistin Astrit Gashi, Abazi ka thënë se një Asociacion me kompetenca ekzekutive një-etnike fillon bazën e formimit të një “Republika Srpska” dhe një gjë e tillë duhet përjashtuar me çdo kusht.
“Nëse është nënshkruar në kohën e opozitës kur kanë qenë pozitë si koalicion, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim. Unë mendoj që pika e kompromisit ndërmjet pikës së skajshme të mosformimit të një Asociacioni një-etnik me kompetenca ekzekutive, çfarë ka qenë qëndrimi i LVV-së, që unë mendoj që ka qenë i drejtë. Jo për faktin se vjen nga LVV-ja, por edhe ajo që e tha Astriti sot e konfirmon, që një Asociacion me kompetenca ekzekutive një etnike fillon fazën e formimit të një “Republika Srpska” përbrenda dhe kjo duhet përjashtuar me çdo kusht edhe për faktin e stabilitetit dhe zhvillimit në Kosovë, por edhe për faktin e moskrijimit të këtyre krijesave që shkaktojnë në mënyrë zinxhirore kriza e probleme të vazhdueshme që nuk i do as BE-ja e as të tjerët”, ka deklaruar Abazi në RTV Dukagjini.
Megjithatë, hiç më larg se dy vite më parë edhe vetë Abazi ishte kund themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Gjithsesi asociacioni i komunave serbe nuk mund të prezantohet si më pak i rrezikshëm se çështja e ndryshimit të kufinjëve, kjo për faktin se ky është një stacion i rrezikshëm i rradhës dhe gjithashtu nuk përjashton apetitin e Serbisë për të marrë territor pas një pauze tjetër. Në këtë kontekst duhet analizuar deklaratën e Palmer dhe heshtjen e Ambasadës Amerikane kundrejtë naivitetit diplomatik e politikë të qeverisë kuislinge”, thoshte ai në vitin 2020.
Abazi ka edhe deklarata të tjera kundër themelimit të Asociacionit, që i kishte thënë edhe sa nuk ishte pjesë direkte e politikës. /Demokracia/