Legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, ka bërë një parashikim interesant për të ardhmen e Erling Haalandit, duke pretenduar se sulmuesi norvegjez do të përfundojë te Barcelona nëse largohet nga Manchester City.
I pyetur në podkastin “The Good, The Bad & The Football” se ku mund të transferohej Haaland në rast se City do të përjashtohej nga Premierliga për shkak të çështjeve financiare, Scholes u përgjigj:
“Barcelona. Edhe pse ka pamjen e një lojtari për Real Madridin. Mund ta imagjinoj shumë lehtë me fanellën e Real Madridit, por do të shkojë te Barcelona”.
Në këtë diskutim mori pjesë edhe ish-bashkëlojtari i Scholesit te Manchester Unitedi, Nicky Butt, i cili përmendi rolin që mund të ketë babai i sulmuesit, Alf-Inge Haaland, në përcaktimin e së ardhmes së tij.
“Do të habitesha nëse babai i tij nuk ka përgatitur tashmë diçka diku”, deklaroi Butt.
Haaland ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2034, por e ardhmja e tij mund të bëhet temë diskutimi nëse klubi anglez përballet me sanksione të rënda.
Barcelona shihet si një prej destinacioneve të mundshme, megjithëse çdo transferim do të kërkonte marrëveshje me Cityn.






