Ish-deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas ngjarjes së fundit në Skenderaj, duke thënë se ajo “nuk është rastësi”, por pasojë e një klime të krijuar ndër vite nga partia në pushtet.
Sipas Grudës, gjuha e urrejtjes, linçimet publike, fyerjet dhe provokimet politike janë shndërruar nga “politikë partiake” në “politikë shtetërore”.
“Kur urrejtja kultivohet çdo ditë, kur kundërshtari trajtohet si armik, kur baltoset çdo vlerë kombëtare, institucionale e njerëzore, atëherë tensioni dhe përplasja bëhen të pashmangshme”, ka deklaruar ai.
Gruda ka vlerësuar se kjo qasje përbën “një investim të rrezikshëm kundër Kosovës, kundër demokracisë dhe kundër të ardhmes sonë”.
Ai ka shtuar se një Kosovë e përçarë dhe e tensionuar “është vetëm në interes të Serbisë”.
“Dhuna nuk duhet të ketë vend në politikë, asnjëherë. Por nuk mund të barazohet një reagim i çastit me një strategji të ndërtuar prej vitesh për të nxitur përçarje, konflikt dhe degradim të jetës publike në Kosovë”, ka përfunduar Gruda.






