Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka thënë se vendimi i sotëm për ish-krerët e UÇK-së është i padrejtë, i pabazuar dhe i papranueshëm.
Gruda në një shkrim në Facebook ka thënë se “drejtësia e humbi kuptimin e saj sot”.
“Po, është normale të respektosh një vendim gjyqësor. Por respekti për drejtësinë nuk nënkupton nënshtrim ndaj çdo vendimi vetëm sepse ai mban vulën e një gjykate. Drejtësia nuk fiton autoritet vetëm nga institucioni që e shqipton, ajo duhet ta fitojë atë edhe përmes provave, standardeve dhe së vërtetës”, ka shkruar ai.
Gruda ka thënë se të heshtësh përballë një vendimi të padrejtë është nënshtrim, e jo respect institucional.
“Të heshtësh përballë një vendimi të padrejtë nuk është respekt institucional. Është nënshtrim. Dhe të rrish duarkryq përballë padrejtësisë, nga frika se mos kundërshtimi interpretohet si mungesë respekti, është dobësi dhe qyqarllëk.
Prandaj, të mos ketë askush iluzione: ne nuk do të rrimë duarkryq. Do ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe do të gjejmë patjetër një rrugë për ta vendosur drejtësinë në vend”, ka shkruar ai.






