Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Bekim Jashari ka gratë e familjes së tij që u flijuan gjatë sulmit në Prekaz, më mars 1998.
Ai rikujton përpjekjet e përsëritura për të kontaktuar familjen gjatë datave 5, 6 dhe 7 mars, por pa sukses.
“Telefoni nuk u hap asnjëherë. Heshtja ishte e rëndë, por askush prej nesh nuk mundi ta imagjinonte atë që po ndodhte në të vërtetë,” shkruan ai.
Postimi i plotē:
Thirrja telefonike që nuk u realizua kurrë
Tre ditë radhazi, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, u munduam shumë që të lidhemi me familjen tonë në Prekaz. Telefoni nuk u hap asnjëherë. Heshtja ishte e rëndë, por askush prej nesh nuk mundi ta imagjinonte atë që po ndodhte në të vërtetë.
Më 8 mars, në vend që të dërgonim urimet tona për nënën Zahide, nënën Feride, Adilen, Zarifën dhe vajzat e familjes sonë, morëm lajmin që na theu shpirtin por na e rriti krenarinë, rënien e tyre heroike.
Ato nuk ishin thjesht nënat, gratë dhe motrat e familjes sonë. Ato ishin shtylla që e mbanin shtëpinë të fortë, edukonin fëmijët me dashurinë për atdheun dhe qëndronin gjithmonë krah për krah me babën Shaban, balin Adem dhe babushin Hamzën.
Nuk ishin vetëm mbështetëse, ishin luftëtare. Gjatë sulmeve mbi familjen tonë dhe në ditët e Epopesë, ato ndihmuan me armatim, refuzuan të ndaheshin nga lufta dhe qëndruan deri në frymën e fundit, me guxim afër burrave.
Për të dëshmuar heroizmin dhe vendosmërinë e tyre, Zoti la gjallë motrën time, Besartën. Ajo është dëshmitare e asaj që ndodhi dhe amaneti i i atyre që zgjodhën lirinë përpara jetës.
Gra të tilla kishte anekënd Kosovës, dhe ato janë po aq meritore për çlirimin e Kosovës sa edhe burrat që mbajtën pushkën në krah.
Sot, në Ditën e Gruas, dua të uroj me gjithë shpirt motrën time, Besartën, të vetmen që më ka mbetur nga babushi dhe nëna.
Dua të uroj edhe gruan time, e cila me përkushtim e vazhdon traditën e nënave tona, duke rritur dhe edukuar fëmijët me të njëjtat vlera që na mësuan nëna Zahide dhe nëna Feride.
Lavdi grave të familjes sonë!
Lavdi grave të Kosovës që u bënë dritë në errësirën e luftës dhe qëndruan të pathyeshme deri në çlirim.