Ish-basketbollisti i njohur kosovar, Granit Rugova, ka kurorëzuar dashurinë me Melita Shabanin.
Çifti i ka dhënë fund beqarisë mbrëmjen e së shtunës, duke organizuar ceremoninë e dasmës mes familjarëve, miqve dhe njerëzve të afërt. Pamje nga dita e tyre e veçantë janë publikuar edhe në rrjete sociale, ku Graniti dhe Melita shihen krah njëri-tjetrit si dhëndër e nuse.
Për ceremoninë, Melita kishte zgjedhur një fustan të bardhë elegant, ndërsa Graniti u shfaq me kostum klasik të zi.
Rugova është një emër i njohur i sportit kosovar. 40-vjeçari nga Prishtina konsiderohej ndër basketbollistët më të spikatur të periudhës së pasluftës, duke kaluar pjesën më të madhe të karrierës te Sigal Prishtina, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.
Pas përfundimit të karrierës si basketbollist në vitin 2018, Rugova vazhdoi angazhimin në sport edhe në role drejtuese. Ai ka qenë drejtor i Përfaqësueseve në Federatën e Basketbollit të Kosovës, ndërsa nga viti 2022 deri në vitin 2024 drejtoi Drejtorinë e Sportit në Komunën e Prishtinës.
Aktualisht, Rugova është rikthyer në strukturat e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku ushtron detyrën e Drejtorit të Programeve dhe Projekteve Zhvillimore.
Tashmë, krahas kapitullit të tij profesional, Granit Rugova ka nisur edhe një kapitull të ri në jetën private, përkrah Melita Shabanit.







