Anthony Gordon vazhdoi startin e tij fantastik me fanellën e Barcelonës, duke dhënë një tjetër asistim në fitoren e thellë ndaj Valencias.
Barcelona siguroi një fitore 5-0 në Mestalla falë golave të Fermín Lópezit, Lamine Yamalit (2), Pedrit dhe Raphinhës, duke mbetur tri pikë para real Madridit në krye të La Ligës.
Gordon dha asistimin për golin e Lópezit në minutën e 22-të dhe, me këtë rast, u bë vetëm lojtari i tretë i La Ligës në shekullin XXI që regjistron katër asistime në katër ndeshjet e para të kampionatit, pas Cesc Fàbregasit dhe Luis Suárezit.
Pasi iu bashkua Barcelonës gjatë verës nga Newcastle United për 69.3 milionë paund, Gordon ka fituar menjëherë simpatinë e tifozëve me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme.
Duke u futur nga krahu i majtë, reprezentuesi i Anglisë ka torturuar mbrojtjet kundërshtare me shpejtësinë e tij shpërthyese dhe i ka dhënë skuadrës së Hansi Flickut cilësi në krah të Yamalit dhe Raphinhës, duke formuar një treshe sulmuese mjaft të rrezikshme.
Gordon është shndërruar gjithashtu në një figurë të dashur edhe jashtë fushës, duke treguar interes të madh për të mësuar gjuhën vendase katalanase, edhe pse ka pranuar se e ka pasur “të vështirë” të përshtatet me një dialekt krejtësisht të ri.
25-vjeçari ndoshta nuk mund të kishte kërkuar një start më të mirë të aventurës së tij në Barcelonë, por teksa pritja për të shënuar golin e parë vazhdon, tifozët kanë filluar ta kritikojnë për finalizimin.
Sulmuesi i krahut të majtë ishte i pasaktë në fitoren 5-0 ndaj Valencias dhe humbi disa mundësi të mëdha për të shënuar. Një tifoz shkroi në X: “Anthony Gordon është një lojtar vërtet i mirë, por e vetmja gjë negative që mund të them është se duhet të përmirësojë finalizimin e tij në duelet një kundër një. Nuk mund të bëjë këtë në Champions”.
Tifozët e Newcastle e njohin mirë problemin e Gordonit për të shfrytëzuar rastet, pasi gjatë tre viteve e gjysmë në “St James’ Park” ai shpesh humbi mundësi të mëdha për të shënuar.
Megjithatë, anglezi vazhdon të pozicionohet në vende të mira për të shënuar dhe duket se është vetëm çështje kohe para se të hapë llogarinë e golave me klubin e ri.
Barcelona do ta nisë fushatën në Ligën e Kampionëve të mërkurën, në shtëpi ndaj Feyenoordit, dhe Gordon do të dëshirojë të vazhdojë paraqitjet e tij të shkëlqyera në këtë kompeticion, ku sezonin e kaluar shënoi 10 gola në 12 paraqitje.
Pas kësaj, blaugranët do të udhëtojnë te Levante të dielën, më 13 shtator, dhe kjo do të jetë një tjetër mundësi për numrin 17 të Flickut që të shtojë numrin e asistimeve.
Në fakt, ekziston mundësia që ai të thyejë rekordin e Lionel Messit prej 20 asistimeve në këtë kompeticion, të vendosur në sezonin 2019/20, nëse vazhdon me këtë start të jashtëzakonshëm.






