Kreu i Trupit Gjykues, Charles L Smith, ka marrë vendim përmes të cilit nisin procedurat për kompenzimin e viktimave në rastin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.
Në vendimin e marrë më 16 shtator e të publikuar sot, Trupi Gjykues ka vendosur të nisë procedurën për reparacionet ndaj viktimave dhe të nxjerrë një urdhër për reparacione, në bazë të nenit 22(8) dhe rregullës 168, përveç nëse Mbrojtja paraqet kundërshtim.
Palëve u janë caktuar afate gjatë shtatorit dhe tetorit për të deklaruar nëse do të paraqesin prova lidhur me reparacionet, ndërsa Përfaqësuesi i Viktimave duhet të paraqesë kërkesën konkrete për reparacione deri më 14 tetor 2026, pas së cilës ZPS-ja dhe Mbrojtja kanë afat deri më 4 nëntor për t’iu përgjigjur.
Pjesa e vendimit:
a) VENDOS që të zhvillojë procedurën për reparacionet dhe të nxjerrë një urdhër për reparacionet, në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime;
b) URDHËRON Mbrojtjen që të paraqesë çdo kundërshtim lidhur me këtë çështje deri të martën, më 22 shtator 2026;
c) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesin përgjigjet e tyre deri të premten, më 25 shtator 2026;
d) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që ta informojë Trupin Gjykues dhe palët për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave, në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
e) URDHËRON që, nëse Përfaqësuesi i Viktimave ende dëshiron të paraqesë prova në përputhje me rregullën 168, ai duhet ta bëjë këtë deri të mërkurën, më 7 tetor 2026;
f) URDHËRON Mbrojtjen që ta informojë Trupin Gjykues, Përfaqësuesin e Viktimave dhe ZPS-në nëse synon të paraqesë ndonjë provë në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
g) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që të paraqesë kërkesën për reparacione deri të mërkurën, më 14 tetor 2026;
h) URDHËRON ZPS-në dhe Mbrojtjen që t’i përgjigjen kërkesës për reparacione deri të mërkurën, më 4 nëntor 2026;
i) URDHËRON Sekretarinë që ta riklasifikojë si publike Urdhrin e 6 nëntorit 2025, parashtresat e Përfaqësuesit të Viktimave të 17 nëntorit 2025 dhe parashtresat e ZPS-së të 17 nëntorit 2025, jo më vonë se të martën, më 22 shtator 2026;
j) URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë versionet publike të redaktuara të parashtresave të Mbrojtjes të 17 nëntorit 2025, ose të kërkojë riklasifikimin e tyre, deri të martën, më 22 shtator 2026.






