19.1 C
New York
Monday, October 7, 2024

Buy now

Gjykimi në mungesë për Banjskën, Supremja ende nuk e ka pranuar kërkesën e Themelores

Gjykata Supreme e Kosovës është shprehur e gatshme të ofrojë ndihmën dhe ekspertizën e saj ligjore sa i përket paqartësive që dolën në nisjen e gjykimit për rastin “Banjska”.

Në një përgjigje për Dukagjinin, Supremja tha se megjithëse ende zyrtarisht se ka pranuar kërkesën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila veçoi procedurën ndaj 42 të akuzuarve që janë në arrati dhe u ngritën dilema nëse të njëjtit mund të gjykohen në mungesë për vepra penale të terrorizimit e kundër rendit kushtetues.

“Gjykata Supreme e Kosovës, ende nuk e ka pranuar kërkesën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, lidhur me rastin në fjalë. Bazuar në Ligjin për Gjykatat, nr. 06/L – 054, neni 27, Gjykata Supreme mund të thërrasë një Seancë të përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të saj për nxjerrjen e qëndrimeve parimore, mendimeve juridike dhe udhëzuesve që promovojnë zbatimin unik të ligjeve. Ndonëse nuk jepen mendime juridike për rastet individuale në proces, pas pranimit të kërkesës, dega penale e Gjykatës Supreme do ta shqyrtojë mundësinë e nxjerrjes së një udhëzuesi, përmes të cilit qartësohen dilemat e ngritura, apo në rast se udhëzuesi shihet i panevojshëm, do të kthejë përgjigje për shkallen e parë, duke i qartësuar dilemat që janë paraqitur.”- GJYKATA SUPREME.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se e vetmja mënyrë që të realizohet gjykimi në mungesë në këtë rast është amendamentimi i Kodit të Procedurës Penale.

“Nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe është procedurë fare e thjeshtë që të niset një amandamentim i Kodit të procedurës penale dhe aty ku, neni 303 ku bënë fjalë për gjykimin në mungesë dhe dispozita i referohet kodit penal, të riformulohet dhe të theksohet qartë që përpos këtyre veprave penale të lejohet gjykimi në mungesë edhe për të gjitha veprat penale kundër rendit kushtetues të Kosovës”, ka thënë Fejzullah Hasani – Ish kryetar i Gjykatës Supreme.

Ndërkohë, që mendim tjetër kanë ish-Avokati i popullit e ish-kryetari i gjykatës së Apelit, të cilët thonë se nuk ka asnjë pengesë që të zhvillohet gjykimi në mungesë ndaj tyre.

“Nuk ka asnjë dilemë në aspektin jurdik gjykimi në mungesë, muj me kuptu që mund të jetë sfidë për sistemin gjyqësor meqë nuk është sfiduar me situata të tilla, për shkak të kompleksitetit të çështjes edhe për shkak të implikimeve që mund të ketë ky rast por si mekanizëm juridik patjetër që është në pajtueshmëri në standarde evropiane”, ka thënë  Hilmi Jashari – Ish avokat i Popullit.

“Vepra penale e terrorizmit është problem global dhe kjo duhet të trajtohet si vepër penale ndërkombëtare e terrorizmit kështu që ka shumë traktate e konventa që kanë dal sepse është problem global terrorizmi”, ka thënë Hasan Shala – Ish kryetar i Gjykatës së Apelit.

Në shqyrtimin fillestar ndaj 45 të akuzuarve për rastin e sulmit në Banjskë, gjyqtari Arben Hoti, veçoi procedurën ndaj 3 të akuzuarve që janë nën masën e paraburgimit, e për gjykimin ndaj 42 të tjerëve që janë ende në arrati, tha se do i kërkoi mendim juridik Gjykatës Supreme.

Sipas Kodit Penal dhe atij të Procedurës, parashihet që gjykimi në mungesë të bëhet për vepra penale që nuk parashkruhen e që janë vrasja e rëndë, veprat penale të gjenocidit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, ose për vepra tjera penale të cilat sipas të drejtës ndërkombëtare nuk parashkruhen.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit