“Gjykata Speciale e Kosovës, një kthesë e gabuar për drejtësinë tranzicionale?” – Më 29 tetor, debat në Harvard

- Advertisement -

Më 29 tetor 2026, në Universitetin e Harvardit, do të mbahet një debat dhe diskutim mbi Gjykatën Speciale të Kosovës, me titullin “Dhomat e Specializuara të Kosovës: Një kthesë e gabuar për drejtësinë tranzicionale?”

Sipas njoftimit të Shkollës Kennedy të Harvardit, diskutimi do të trajtojë legjitimitetin e Gjykatës Speciale, raportin e saj me shoqërinë kosovare dhe pyetjen nëse ky mekanizëm po e çon përpara drejtësinë apo po e dëmton atë, shkruan Demokracia.com.

Në përshkrimin e aktivitetit, gjykata paraqitet si një mekanizëm i diskutueshëm: ndonëse zbaton ligjet e Kosovës dhe është pjesë e sistemit të saj gjyqësor, ajo ka staf ndërkombëtar, zhvillon procedurat në Hagë dhe financohet nga Bashkimi Evropian.

Kritikët argumentojnë se gjykata përqendrohet në mënyrë joproporcionale te të pandehurit shqiptarë dhe ndikon në mënyrën se si interpretohet lufta çlirimtare e Kosovës. Ndërkaq, përkrahësit e saj e konsiderojnë të rëndësishme për llogaridhënien dhe sundimin e ligjit.

Një nga pyetjet kryesore të debatit do të jetë: “Çfarë ndodh kur një mekanizëm drejtësie ndërtohet për një shoqëri, por jo nga vetë ajo shoqëri?”

Në diskutim do të marrin pjesë sociologia Anna Di Lellio, ish-këshilltare e kryeministrit të Kosovës dhe ish-komisionere e OSBE-së për media, si dhe Kathryn Sikkink, profesoreshë e politikave për të drejtat e njeriut në Shkollën Kennedy të Harvardit dhe autore e librit The Justice Cascade.

Aktiviteti do të mbahet nga ora 12:00 deri në 13:00, sipas orës lindore të SHBA-së, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube. Pjesëmarrja fizike është e kufizuar për personat me identifikim të Universitetit të Harvardit.

Vetë titulli i debatit e vendos në pikëpyetje modelin e Gjykatës Speciale dhe hap diskutimin mbi legjitimitetin e saj, përfshirjen e shoqërisë kosovare dhe ndikimin e saj në drejtësinë pas luftës.

Të ngjashme

Të fundit