Dhomat e Specializuara të Kosovës muaj më parë kanë njoftuar se Trupi Gjykues e ka zgjatur afatin për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik 2026, ndërsa kanë lënë të hapur mundësinë e një shtyrjeje tjetër vetëm nëse kjo konsiderohet “absolutisht e nevojshme”.
Në një përgjigje për lajmi.net, lidhur me afatin e nxjerrjes së vendimit, Gjykata ka rikujtuar se më 5 maj 2026 Trupi Gjykues nxori urdhër me të cilin afati për shpalljen e aktgjykimit u shty deri më 20 korrik.
“Në atë urdhër, Trupi Gjykues deklaroi gjithashtu se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të ishte absolutisht e nevojshme, ai do të nxirrte një urdhër për këtë çështje në kohën e duhur”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.
Sipas Rregullës 159(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, nëse rrethanat e rastit kërkojnë më shumë kohë sesa afati fillestar prej 90 ditësh, periudha shtesë nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur ekziston nevojë e domosdoshme për një shtyrje të mëtejshme.
Gjykata ka theksuar se vendimi për një afat shtesë mbetet në diskrecionin e Trupit Gjykues, i cili vlerëson nëse rrethanat e rastit e bëjnë të domosdoshme një masë të tillë.
“Nëse Trupi Gjykues në këtë rast përcakton se nevojitet kohë shtesë, një vendim i tillë do t’u njoftohet palëve dhe do të bëhet publik”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Aktualisht, nuk ka asnjë vendim të ri për shtyrje përtej datës 20 korrik 2026. Kjo do të thotë se, bazuar në informacionet e deritanishme, aktgjykimi pritet të shpallet brenda afatit të përcaktuar, përveç nëse Trupi Gjykues vendos ndryshe në ditët ose javët në vijim.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në paraburgim në Hagë, pasi u konfirmua aktakuza ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas aktakuzës dyshohet se janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë pasur përgjegjësi në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, përmes së cilës janë kryer ndalime arbitrare, keqtrajtime, tortura, zhdukje me forcë dhe vrasje të personave që konsideroheshin kundërshtarë politikë, bashkëpunëtorë ose persona të dyshuar për mosmbështetje të UÇK-së.
Të katër të akuzuarit i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm. Mbrojtja ka argumentuar gjatë gjithë procesit se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, ndërsa ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë për përgjegjësi penale individuale të të akuzuarve.
Procesi gjyqësor nisi në prill 2023 dhe konsiderohet një nga rastet më të mëdha që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara. Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria, Mbrojtja dhe përfaqësuesit e viktimave, Trupi Gjykues është në fazën e përgatitjes së aktgjykimit, që pritet të shpallet gjatë këtij muaji.






