Gjykata e dënon Avni Zogianin e VV-së për shpifje ndaj Ferat Shalës

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur pjesërisht në favor të ish-deputetit Ferat Shala në rastin civil për shpifje kundër Avni Zogianit, lidhur me një postim të publikuar në Facebook në dhjetor të vitit 2023.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Zogiani është obliguar që t’i paguajë Shalës shumën prej 2,000 euro në emër të dëmit jomaterial, si dhe 270.40 euro për shpenzimet e procedurës kontestimore.

Rasti lidhet me një postim të datës 27 dhjetor 2023, ku Zogiani kishte shkruar për, siç thuhej në publikim, “kjo foto tregon monopolin e vetëm një pjese të familjes së Ferat Shalës në sektorin publik”, në kontekst të dërgimit të Ligjit për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese.

Padia ndaj Zogianit ishte ushtruar nga ish-deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Gjykata ka vlerësuar se kërkesëpadia është pjesërisht e bazuar dhe ka urdhëruar kompensimin financiar në favor të Shalës.

Po ashtu, gjykata ka urdhëruar Zogianin që ta fshijë postimin në Facebook, i cili ishte objekt i padisë për shpifje.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Shala, shpifja dhe njollosja publike nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi.

“Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë vërtetoi atë që kam thënë prej fillimit: shpifja dhe njollosja publike nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi. Me aktgjykimin e datës 21.05.2026, gjykata e aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë time ndaj Avni Zogianit, duke konstatuar se publikimi i bërë ndaj meje në Facebook ka shkaktuar dëm jo-material përmes shpifjes. Për mua, kjo nuk është çështje hakmarrjeje personale. Është një mesazh se askush nuk duhet të lejojë që reputacioni, familja dhe puna e tij të sulmohen me të pavërteta për interesa politike apo personale. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe kanë besuar në të vërtetën. Dinjiteti mbrohet. E vërteta triumfon”, ka shkruar Shala në Facebook. 

Të ngjashme

Të fundit