Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Ai ka pretenduar se ka dalë i kënaqur nga bisedimet nga homologu i tij shqiptar, Ferit Hoxha, lidhur me këtë çështje.
“Jam i kënaqur që pata bisedime shumë të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, kishte thënë ai.
Këtë lajm e ka komentuar deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, i cili e përshkroi si “thikë pas shpine për Kosovën”.
“Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën, përbën rajonin e njohur si Lugina e Preshevës, ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve etnikë në Serbi, jashtë Kosovës. Nëse është e vërtetë se qeveria e Edi Ramës po e çel derën për një konsullatë serbe në Shkodër, atëherë ky veprim nuk mund të kamuflohet mbrapa retorikës së një “akti diplomatik.” Kemi të bëjmë me thikë pas shpine për Kosovën”.
Qorolli më pas renditi figurat shqiptare historike që vijnë nga Shkodra.
“Shkodra është kapitulli ndër më të lavdishmit të tërë historisë shqiptare. Është qyteti që i dha kombit Gurakuqin, Fishtën, Koliqin, Migjenin e Pashko Vasën. Në Shkodër rëndom thuhet se, duhet të përballesh me peshën e historisë. Kjo sepse Shkodra është vetë kujtesa politike e shqiptarëve. E për njat shkak, Edi Rama duket se ka zgjedhur të jetë kryeministri që e relativizon atë që historia e ka shkruar me gjak. Diplomacia nuk është art i harresës z. Rama. Nuk ndërtohet duke u kërkuar shqiptarëve të harrojnë plagët, as duke u sjellë sikur simbolika kombëtare është mall pa vlerë”.
Qorolloi shtoi se “Serbia nuk ka nevojë të rehabilitohet në Shkodër”.
“Nëse kërkon rehabilitim, le ta nisë me pranimin e përgjegjësisë për krimet në Kosovë, me kërkimfalje dhe me drejtësi për viktimat. Vetëm atëherë diplomacia fiton kuptim. Përndryshe, çdo hap i tillë drejt ligjësimit diplomatik të Serbisë në zemër të Shkodrës loce, mbetet një vrasje ndaj kujtesës sonë kombëtare”.
Për hapjen e mundshme të këtyre konsullatave nuk ka pasë ndonjë deklaratë nga qeveria shqiptare.






