Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi Jakov Milatoviq bën betimit të shtunën. Ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri do të mbahet në parlamentin malazez në praninë e deputetëve dhe të ftuarve të shumtë nga rajoni dhe bota.
Në prag të dorëzimit të detyrës, presidenti në largim, Milo Gjukanoviq , mbajti të premten një konferencë për shtyp, duke bërë bilancin e rezultateve të vendit. Zoti Gjukanoviq vuri në dukje, se “Mali i Zi u kursye nga shkatërrimet dhe vdekjet gjatë fushatës së NATO-s në RFJ, një vend i restauruar në mënyrë paqësore dhe i njohur ndërkombëtarisht 17 vjet më parë, i njohur si faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe anëtar i NATO-s që prej 6 vitesh”.
Gjukanoviq kritikoi punën e qeverive të Zdravko Krivokapiqit dhe të Dritan Abazoviqit.
“Këto qeveri destabilizuan thellësisht shtetin dhe shoqërinë, shkatërruan arritjet e vlefshme të zhvillimit ekonomik dhe institucional dhe vunë në pikëpyetje arritjen e qëllimit europian”, tha zoti Gjukanoviq.
Udhëheqësi shumëvjeçar malazez beson se qeveria e zgjedhur pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të marrë përgjegjësi dhe do të krijojë kushte për jetë normale politike në vend.
Milo Gjukanoviq ka qenë shtatë herë kryeministër dhe dy herë president i Malit të Zi. Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, ai dha dorëheqjen edhe nga kreu i Partisë Demokratike të Socialistëve.
Përkatësisht, pas tre dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve humbi në zgjedhjet e vitit 2020 nga një shumicë e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus dhe pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA.
Gjatë pushtetit të tij, zoti Gjukanoviq ndërtoi marrëdhënie të mira me vendet e rajonit, përveç me Serbinë ku me Beogradin zyrtar, por edhe me Kishën Ortodokse Serbe u përkeqësuan në vitin 2019 pas miratimit të Ligjit për Lirinë e Fesë.
Presidenti i zgjedhur Jakov Milatoviq bën betimin të shtunën, në ditën kur i skadon mandati paraardhësit të tij dhe ceremonia e inaugurimit të presidentit të Malit të Zi do të mbahet në Parlamentin e Malit të Zi.