9.7 C
New York
Thursday, April 25, 2024

Buy now

Biden përkrah planin për trajnim të pilotëve ukrainas për aeroplanët luftarakë F-16

- Advertisement -

Presidenti amerikan, Joe Biden, u ka thënë liderëve të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) se Uashingtoni do të mbështesë dërgimin e aeroplanëve të avancuar luftarakë F-16 në Ukrainë, dhe do të përkrahë përpjekjet për të trajnuar pilotët e Kievit, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Ky qëndrim dërgon sinjal të rëndësishëm te Kievi, i cili vazhdimisht e ka kërkuar përkrahjen e Perëndimit për sigurimin e aeroplanëve luftarakë, teksa e lufton pushtimin rus.

Biden, i cili është në Japoni – ku edhe po mbahet samiti G7 – ka thënë se Shtetet e Bashkuara “do t’i mbështesin përpjekjet e përbashkëta me aleatë dhe partnerë, për të trajnuar pilotët ukrainas, për përdorimin e aeroplanëve luftarakë të gjeneratës së katërt, përfshirë modelin F-16, për të forcuar dhe përmirësuar kapacitetet e forcës ajrore ukrainase”.

“Teksa trajnimi të ndodhë në muajt vijues, koalicioni ynë i shteteve pjesëmarrëse në këto përpjekje, do të vendosë se kur t’i dërgojë aeroplanët, sa t’i dërgojë dhe cili shtet t’i dërgojë”.

Mbështetja e SHBA-së në këtë pikë është kyçe, pasi ajo duhet të miratojë ligjërisht rieksportimin e pajisjeve të saj, të blera prej aleatëve, përfshirë aeroplanët luftarakë, F-16.

Më herët gjatë kësaj jave, kryeministri britanik, Rishi Sunak dhe kryeministri holandez, Mark Rutte, janë zotuar për krijimin e një “koalicioni ndërkombëtar” për të ofruar aeroplanë luftarakë për Ukrainën.

Më herët, Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të aeroplanëve të avancuar, duke thënë se ata janë shumë të kushtueshëm, dhe se ekzistojnë mundësi tjera më ekonomike që përforcojnë mbrojtjen ajrore të Kievit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit