Gjoshi i PDK-së e quan Kurtin “pazarxhi të vlerave kombëtare” që “nuk dëshiron ta kalojë ligjin që mbron UÇK-në”

- Advertisement -

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me qëndrimin e tij ndaj një ligji që, sipas Gjoshit, synon mbrojtjen e vlerave dhe figurës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Gjoshi e ka cilësuar Kurtin si “pazarxhi të vlerave kombëtare”, duke e akuzuar se nuk dëshiron ta kalojë ligjin që mbron UÇK-në.

Gjoshi ka përmendur edhe të kaluarën politike të Kurtit, duke pretenduar se ai nuk kishte marrë pjesë në luftën e UÇK-së dhe se, në kohën kur ishte burgosur, çlirimtarët kishin kërkuar lirimin e tij.

Sipas Gjoshit, pas daljes nga burgu, Kurti kishte mbajtur qëndrim të kundërt ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Kur vetë ra në burg, çlirimtarët i ranë botës për të kërkuar lirimin e tij. Pak vite pasi doli nga burgu, çlirimtarëve u tha: shkoni ju në burg – sepse pushtetin për vete e donte më shumë”, ka shkruar Gjoshi.

Ai e ka akuzuar Kurtin se, gjatë periudhës në pushtet, nuk ka ndërmarrë veprime në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që përfunduan në procese gjyqësore.

Gjoshi ka pretenduar gjithashtu se Kurti e ka përdorur pushtetin për interesa politike, ndërsa tani, sipas tij, po refuzon të mbështesë një ligj që lidhet me mbrojtjen e UÇK-së.

“E sot, kur historia ia dha edhe një mundësi për të shlyer një pjesë të gjynaheve dhe gabimeve të tij, ai sërish zgjedh pazarin: nuk dëshiron ta kalojë ligjin që mbron UÇK-në”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, Gjoshi ka vazhduar me kritikat ndaj kryeministrit, duke thënë se Kurti kërkoi mbështetjen e çlirimtarëve kur kishte nevojë për lirinë e tij, ndërsa tani, sipas tij, ua ka kthyer shpinën.

“Kur liria iu desh për vete, kërkoi zërin e çlirimtarëve. Kur çlirimtarëve u duhet veprimi i tij, ua kthen shpinën”, ka shkruar Gjoshi.

Në fund, ai e ka bërë Kurtin përgjegjës politikisht për atë që e quan “zvarritje” dhe e ka mbyllur reagimin me mesazhin: “JO NË EMRIN TIM!”.

Të ngjashme

Të fundit