Gjini: Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione

- Advertisement -

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media tha se Kosova po rrezikon të futet sërish në krizën e mungesës së institucioneve.

Ai tha se Aleanca është e gatshme për të kontribuar në këtë proces, megjithatë përmendi disa kërkesa, raporton klankosova.tv.

“Fatkeqësisht po krijohet një ndjenjë që Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione, situatë e cila nuk shkon në favor as të qytetarëve as të zhvillimit strategjik të shtetit të Kosovës. Gjithçka është peng, gjithçka është blloku, tashmë është blloku për 1 vit e gjysëm. Në këto rrethana Aleanca duhet me deklaru si vijon. Ne nuk kemi asnjë kusht vetiak, nuk synojmë asnjë pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, mirëpo i kemi disa kërkesa të cilat janë jetike në mënyrë që Aleanca ta kryejë punën e vet në ndihmë të krijimit të institucioneve”.

Gjini deklaroi se kërkesa kryesore e Aleancës është pranimi i gazit të lëngshëm amerikan i cili sipas tij do të tregojë orientimin afatgjatë strategjik të shtetit.

“Institucionet e reja të Kosovës duhet qartë me pranu orientimin strategjik, me pranu projektin e gazit të lëngshëm amerikan. Ky është jo vetëm projekt energjetik, ky është projekt strategjik që e tregon orientimin afatgjatë të shtetit tonë. Shteti duhet menjëherë të nis procedurat e ndërtimit edhe termocentralit të ri me thëngjill, duhet me u shfrytëzu thëngjilli jonë menjëherë. Institucionet e reja duhet menjëherë me ngrit pragun e TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro, ka qenë premtim elektoral dhe sot e përsëris, një veprim i tillë kishte me çliruar potencialin e jashtëzakonshëm të ndërmarrjeve të vogla që në Kosovë janë rreth 100 mijë. Ne kërkojmë që tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë, t’u lihet frymëmarrje bujqëve të Kosovës”, tha Gjini

Të ngjashme

Të fundit