Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se partia që drejton do të jetë mburojë për qytetarët e Kosovës ndaj, siç e ka cilësuar ai, abuzimit me pushtetin nga niveli qendror.
Këtë deklaratë Gjini e bëri në takimin e rregullt të Kolegjiumit të Drejtorëve, ku së bashku me drejtorët komunalë nga Aleanca diskutoi për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të partisë.
Sipas njoftimit të AAK-së, Gjini, duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, u bëri thirrje drejtorëve komunalë që të jenë të saktë në punën e tyre dhe korrektë me qytetarët.
“Kryetari Gjini theksoi se Aleanca do të jetë mburojë për qytetarët e Kosovës kundrejt abuzimit që po ndodh me pushtetin nga niveli qendror”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Gjini ka bërë të ditur se, krahas takimeve të rregullta me strukturat e partisë, do të vazhdojnë edhe takimet në terren me qytetarët.
Sipas njoftimit, këto takime synojnë prezantimin e platformës politike dhe vizionit të Aleancës për zhvillimin e vendit.






