Pas një kohe mungese, Gjesti është rikthyer në një intervistë në emisionin “Goca dhe Gra”.
Përballë moderatores Ori Nebijaj, ai ka folur për herë të parë publikisht për periudhën më të errët të jetës së tij: humbjen e vëllait në një aksident tragjik.
Mes dhimbjes, Gjesti tregoi se kjo ngjarje ia ka ndryshuar plotësisht jetën dhe botëkuptimin. Ai pranoi se pas asaj dite ka nisur të vuajë nga ankthi, me të cilin përballet ende çdo ditë.
“Jam i thyer në një mijë pjesë. Po mundohem gjithë kohën të dal prej kësaj gjendjeje, dhe me ndihmën e Zotit kam për t’ia dalë. Prej rastit të vëllait unë kam ndryshuar komplet në sjellje e në mendime; kuptova që sot je e nesër nuk je. Filloi ankthi dhe sot jam ende me ankth, ende e vuaj. Në publik dal i qeshur, por brenda jam i thyer,” u shpreh ai.
Ai tha se kjo periudhë e vështirë e ka afruar edhe më shumë me besimin në Zot, duke theksuar se familja është motivi kryesor që e shtyn përpara.
“Ajo gjendje më ka kthyer në rrugë të Zotit, sepse e vetmja zgjidhje është ajo. Motivi për të jetuar dhe për të punuar për familjen më bën të çohem. Qëllimi im kryesor tani është se si të bëhem një njeri i mirë, sepse kjo qenka e vështirë. Vëllai im është në vend të vet, e di që është në vend të sigurt… çdo gjest e çdo gjë që flas, ai më shkon në mendje, kemi qenë shumë të lidhur.”
Duke folur për pengjet, ai tha se do të donte të kishte qenë më i kujdesshëm në raport me të vëllanë.
“Ndoshta nuk do t’i kisha bërtitur asnjëherë, do të duhej t’ia plotësoja edhe më shumë qejfin, por Zoti lart e di më së miri,” përfundoi ai.






