Gjermania e ka akuzuar Rusinë për kryerjen e asaj që ministri i Brendshëm i vendit e quajti “sulm hibrid”, që përfshinte një dron të mbushur me eksploziv, i cili shkaktoi ndërprerje të fluturimeve në aeroportin e Lajpcigut në fillim të gushtit. Berlini tha se incidenti ishte pjesë e një fushate operacionesh destabilizuese kundër Evropës.
Autoritetet gjermane thanë se do ta mbyllnin Konsullatën Ruse në Bon dhe do të shkëpusin kontratën e qirasë për një qendër kulturore ruse në Berlin, si pasojë e përpjekjes për sulm me dron në aeroport.
Deklarata e zyrtarëve të Qeverisë gjermane më 1 shtator u bë teksa autoritetet reaguan ndaj asaj që e quajtën sulm sabotues, që përfshinte disa pajisje shpërthyese të vendosura pranë një termocentrali me qymyr, rreth 100 kilometra në juglindje të Berlinit.
Deri tani, asnjë shtet apo grup nuk është fajësuar për atë incident, në të cilin zyrtarët thanë se të paktën një bombë e improvizuar kishte shpërthyer. Në incidentin në Lajpcig, një dron që bartte eksplozivë u gjet pranë aeroplanëve ukrainas të mallrave në aeroportin, që gjendet në lindje të Gjermanisë.
“Pas vlerësimit të teknologjisë së përdorur, si dhe të informacioneve të inteligjencës, Qeveria arrin në përfundimin se Rusia është përgjegjëse për sulmin hibrid në Lajpcig më 4 gusht”, tha ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt.
“Ne nuk e shohim incidentin në Lajpcig si të veçuar, por e shohim atë në kontekstin e veprimeve të tjera hibride”, tha ai. “Ne supozojmë se Gjermania është objektiv i sulmeve të tjera hibride nga Rusia”.
Ministri i Jashtëm Johann Wadephul, deklaroi se Konsullata Ruse në Bon do të mbyllej më vonë gjatë këtij muaji dhe se kontrata e qirasë për qendrën kulturore “Russia House” në Berlin do të anulohej.
“Ne po i forcojmë kontrollet e hyrjes për shtetasit rusë”, tha ai, duke shtuar se Gjermania do të propozojë përfshirjen e më shumë individëve rusë në listat e personave ndaj të cilëve janë vendosur sanksione nga Bashkimi Evropian.
Ambasadori i Rusisë në Gjermani u pa duke hyrë në Ministrinë e Jashtme në Berlin rreth kohës kur u bënë këto njoftime. Kremlini apo diplomatët rusë nuk kanë bërë menjëherë ndonjë koment.
Akuza u bë në një kohë kur shqetësimet për operacionet hibride ruse dhe mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin, të synojë që të testojë vendosmërinë e NATO-s me sulme më tradicionale, potencialisht kundër vendeve baltike anëtare të aleancës, janë të vazhdueshme.
Të paktën një nga qëllimet e vizitës së shefit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë, ku më 25 gusht zhvilloi takime me zyrtarë të inteligjencës, ishte paralajmërimi i Rusisë kundër sulmit ndaj vendeve të NATO-s, thanë për Radion Evropa Lirë dhe media të tjera, në kushte anonimiteti, burime që kishin informacione për vizitën.
NATO dhe Bashkimi Evropian menjëherë shprehën mbështetjen për Gjermaninë dhe thanë se veprimet e Rusisë nuk do t’i frikësojnë në mënyrë që të ulin mbështetjen për Ukrainën, e cila po mbrohet nga pushtimi i plotë rus, që tashmë është në vitin e pestë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, premtoi “solidaritet të plotë” dhe tha se aleanca ushtarake perëndimore do të “vazhdojë të forcojë aftësinë tonë për të penguar dhe mbrojtur të gjithë aleatët kundër çdo kërcënimi – përfshirë veprime keqdashëse si ato që u panë në Lajpcig dhe gjetkë”.
“Përpjekjet e Rusisë për të na frikësuar, për të minuar unitetin tonë dhe gatishmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën janë të kota dhe do të dështojnë”, shkroi Rutte në X. “Mbështetja jonë për Ukrainën është e palëkundur, ashtu siç është edhe përkushtimi ynë i hekurt ndaj mbrojtjes kolektive të NATO-s#.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në një postim në X se BE-ja qëndron në “solidaritet të plotë” me Gjermaninë dhe deklaroi se “sulmet hibride nuk do të mbeten pa një përgjigje të qartë”.
“Rusia po përpiqet të mbjellë mosbesim dhe frikë në shoqëritë tona. Por, do të dështojë. Dhe, ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha von der Leyen. Ajo tha se ministrat e Jashtëm të BE-së do të përgatisin “sanksione shtesë” ndaj Moskës në një takim në Irlandë më 1-2 shtator.
BE-ja tashmë ka përgatitur sanksione të reja ndaj deri në 1.600 individëve dhe entiteteve ruse – kryesisht në sektorin rus të mbrojtjes – me propozimin që shtetet anëtare të BE-së t’i miratojnë unanimisht këto masa në tetor.
Më 2 shtator, ambasadorët e BE-së pritet gjithashtu të sanksionojnë 10 shtetas rusë dhe 17 entitete të përfshira në rrëmbimin e fëmijëve ukrainas dhe të vendosin për zgjatjen e ngrirjes së aseteve dhe ndalimeve të vizave që blloku ua ka vendosur më shumë se 3.000 individëve apo entiteteve që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Rusia kishte mohuar më herët përfshirjen në incidentin në Lajpcig, i cili ka shtuar shqetësimet pas raportimeve për muaj të tërë për dronë të dyshimtë mbi objekte ushtarake dhe industriale në Gjermani.
Policia përdori një robot për të çaktivizuar pajisjen pranë një aeroplani ukrainas të mallrave. Ushtria gjermane dhe aleatët e NATO-s transportojnë mallra ushtarake përmes aeroportit, i cili shërben gjithashtu si bazë për kompaninë ukrainase Antonov Airlines.






