Kosova mbetet në garë për kreun e Grupit B3 të Ligës së Kombeve, pas katër ndeshjeve të para të edicionit 2026/27.
Dardanët barazuan 1-1 me Austrinë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje ku fillimisht kaluan në epërsi me Fisnik Asllanin, por austriakët arritën të barazonin në minutat e fundit përmes Christoph Lang.
Pas këtij rezultati, Austria vazhdon të kryesojë grupin me 8 pikë, ndërsa Kosova ka grumbulluar 5 pikë. Me pikë të njëjta është edhe Irlanda, e cila barazoi 1-1 me Izraelin në ndeshjen tjetër të grupit.
Kosova renditet para Irlandës në tabelë falë fitores direkte 1-0 në përballjen e parë mes dy skuadrave, në “Fadil Vokrri”.
Në vendin e fundit është Izraeli me 2 pikë.
Tabela pas katër ndeshjeve:
- Austria – 8 pikë
- Kosova – 5 pikë
- Irlanda – 5 pikë
- Izraeli – 2 pikë
Dardanët e nisën kampanjën me fitore 1-0 ndaj Irlandës, më pas pësuan 3-1 nga Austria, barazuan pa gola me Izraelin dhe së fundmi morën një pikë ndaj Austrisë në Prishtinë.
Tani Kosova ka edhe dy ndeshje për të zhvilluar. Më 14 nëntor, Dardanët presin Izraelin në “Fadil Vokrri”, ndërsa tri ditë më vonë udhëtojnë në Dublin për përballjen vendimtare me Irlandën.
Me vetëm tri pikë më pak se Austria dhe me dy ndeshje ende për t’u zhvilluar, Kosova mbetet plotësisht në garë për ta mbyllur grupin në pozitën e parë./






