Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur personi i raportuar i zhdukur në Leposaviç më 28 prill të këtij viti.
Ai është gjetur të dielën më 17 maj nga Policia e Kosovës në zonën e Deçanit.
M.S, 36-vjeçar sipas familjarëve kishte pasur herë pas here probleme psikike dhe në kontaktin e fundit ai kishte qenë në Serbi dhe kishte deklaruar se do të kthehej në Kosovë.
Sipas njoftimit pas marrjes së informacionit është konstatuar se personi kishte hyrë në Kosovë me datë 28.04.2026. Po të njëjtën ditë, i njëjti kishte qëndruar në Manastirin e Deçanit dhe më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.
“Në koordinim me stacionet tjera policore dhe veprimeve operative në terren, me datë 17.05.2026 rreth orës 10:00, nga Stacioni Policor në Deçan është pranuar informatë se personi M.S. është gjetur në zonën e Deçanit nga njësitë patrulluese policore. Familjarët janë njoftuar lidhur me rastin, ndërsa sipas informatave të para gjendja e tij për momentin është stabile”, thuhet në komunikatë.






