Shqipëri: Një reportazh për masivin pyjor të Munellës, pretendent për t’u futur në listën e zonave të mbrojtura ka përfunduar në tragjedi me një të vdekur dhe një të plagosur të enjten e sotme.
Ekipi i përbërë nga gazetari Alfred Lela, Ndoc Mulaj, specialist i turizmit, Ilir Shyti inxhinier pyjesh, operatori Gisel Dollani dhe Dorien Malaj kanë rënë në një humnerë, teksa po lëviznin në orët e mbrëmjes në këmbë në këtë zonë.
Për pasojë ka humbur jetën, specialisti i turizmit, Ndoc Mulaj. Ky i fundit, prej disa orësh ishte zhdukur dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij, por fatkeqësisht është gjendur i vdekur pas kërkimeve.
Ndoc Mulaj, ishte një nga specialistët më të mirë të turizmit malor në Shqipëri, themelues dhe drejtues i Albanian Alps.
Ishte gazetari Lela ai që sinjalizoi fillimisht për rënien në humnerë të dy personave, por për shkak të zonës së thellë ku ndodhi ngjarja ndërhyrja u bë me shumë kohë vonesë.
Vetë Lela ka disa dëmtime në këmbë, ndërkohë që dëme të shumta ka pësuar dhe inxhinieri Ilir Shyti. Fillimisht u raportua për një aksident me makinë, por me kalimin e orëve u hodh dhe më shumë dritë mbi ngjarjen.
Edmond Simoni, mjek i përgjithshëm i zonës së Gjegjanit tregoi më herët për mediat dhe vështirësitë e këtij operacioni kërkim shpëtimi.
“Momentalisht është dhënë njoftimi se janë gjetur të 5 personat, por duhet theksuar se janë në një zonë shumë të largët me borë, nuk futen makinat. Zjarrfikëset dhe ambulanca po presin në zonën e njohur si fabrika e bakrit.
Të plagosur po transportohen në krahë nga zona ku janë aksidentuar deri në vendin ku po pret ambulanca. Nga njoftimet që kemi marrë në telefon Ndoc Mulaj dhe Ilir Shyti janë në gjendje të rëndë, tre të tjerët janë mirë.
Është rreth një orë rruga në këmbë për të mbërritur të plagosur tek ambulanca, e mandej do të transportohen drejt spitalit të Pukës”, tha mjeku Edmond Simoni, përpara lajmit se Mulaj kishte vdekur./NOA/