Gjeloshaj: Gratë duhet të jenë pjesë e arkitekturës së sigurisë

- Advertisement -

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së grave në arkitekturën e sigurisë dhe të bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt integrimit evropian.

Këto deklarata Gjeloshaj i bëri në konferencën ndërkombëtare “Partneritet për ndryshim: Gratë që transformojnë sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”, ku foli për barazinë gjinore dhe politikat e Qeverisë në këtë fushë.

Ai tha se siguria në Ballkanin Perëndimor nuk mund të trajtohet e ndarë nga bashkëpunimi ndërmjet shteteve, duke theksuar se kërcënimet e sotme tejkalojnë kufijtë shtetërorë.

“Ballkani Perëndimor është një hapësirë ku historia na ka mësuar se siguria nuk mund të kuptohet vetëm brenda kufijve shtetërorë, as kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk ndalen në kufij. Mali i Zi e sheh bashkëpunimin rajonal si pjesë të rëndësishme të rrugës drejt integrimit evropian”, tha ai.

Gjeloshaj theksoi gjithashtu se përfshirja e grave në siguri dhe avancimi i të drejtave të njeriut janë të lidhura ngushtë me procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.

“Gratë duhet të jenë pjesë e arkitekturës së sigurisë. Nga perspektiva e Malit të Zi, ky diskutim lidhet drejtpërdrejt me rrugën tonë evropiane, integrimin në Bashkimin Evropian, nuk është vetëm proces teknik. Ai është proces i forcimit të institucioneve, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, pluralizmit dhe standardeve demokratike”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit