Donika Gërvalla ka folur për raportet me ish-bashkëpunëtoren e saj politike, Vjosa Osmani, pas largimit të kësaj të fundit nga iniciativa Guxo dhe afrimit me Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e fundit.
E ftuar në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Gërvalla u pyet nëse është e vërtetë që nuk flet më me Osmanin, por ajo refuzoi të japë një përgjigje konkrete.
“Ajo është një çështje mes meje dhe zonjës Osmani, e cila nuk është temë për publikun. Unë nuk po them as që flas e as që nuk flas”, është shprehur Gërvalla.
E pyetur nëse mes tyre ka mbetur ndonjë hatërmbetje personale apo politike, Gërvalla tha se nuk ka asgjë personale ndaj Osmanit, por kritikoi mënyrën se si, sipas saj, disa ish-bashkëpunëtorë largohen dhe më pas sulmojnë kolegët e dikurshëm.
“Unë nuk kam asgjë personale me Vjosa Osmanin, e as politike. Nuk them që e kam mirë tash, sepse e kam konkurrente, mirëpo unë nuk dua ta përqafoj shprehjen e keqe që me njerëzit me të cilët ke punuar me vite të tëra, pa prit e pa kujtu merr një vendim, del në krahun tjetër dhe fillon t’i shash ish-kolegët e tu. Unë nuk i shaj ish-kolegët e mi, unë iu dëshiroj sukses në vizionin e tyre”, ka deklaruar ajo.
Tutje, Gërvalla tha se ka vendosur të vazhdojë rrugën politike aty ku kishte nisur bashkë me Osmanin dhe bashkëpunëtorët e tjerë.
“Kur e kanë marrë vendimin për të shkuar atje, motivet e tyre me siguri kanë qenë pozitive. Unë nuk duhet të pajtohem me motivet e tyre, mirëpo unë kam qëndruar aty ku me Vjosa Osmanin dhe të tjerët kemi shkuar bashkë. As nuk e kam në plan të lëviz e as të heq dorë për të vazhduar punët e mira që kemi nisur. Ai që e braktis anijen nuk duhet të hedhë gurë mbi anijen, por duhet të pranojë që ka zgjedhur një rrugë tjetër”, ka thënë Gërvalla.






