Gërvalla për gazin amerikan: Kemi diskutuar, vendimet merren në bazë të interesit të Kosovës

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për gazin amerikan, duke thënë se kjo çështje është diskutuar, edhe pse një ditë më parë ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se nuk e kishte parë fare thirrjen që SHBA-ja i ka bërë Kosovës për t’u bërë pjesë e projektit të gazit amerikan, i cili do të shtrihet në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Gërvalla tha se është diskutuar rreth gazit, por pa dhënë detaje nëse projekti do të pranohet, duke shtuar se vendimet merren bazuar në interesin e Kosovës.

“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit, por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me SHBA-në. Gjatë pesë viteve të fundit kemi treguar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet se jo vetëm që diskutojmë, por edhe marrim vendime bazuar në interesin e Kosovës”, u përgjigj Gërvalla para gazetarëve.

Duhet theksuar se javët e fundit ka pasur thirrje nga Ambasada Amerikane që Kosova t’i bashkohet projektit amerikan të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG), ndërsa ende nuk ka pasur një përgjigje nga qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

Të ngjashme

Të fundit