Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj përgjegjësve për vrasjen e së ndjerës Liridona Ademaj, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, njëherësh Koordinatorja Kombëtare kundër Dhunës, Donika Gërvalla, ka reaguar duke e cilësuar si përgjegjësi të plotë vendimin për burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe vendimin për 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.
“Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, përgjegjësi e plotë për një krim që tronditi shoqërinë tonë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ajo shtoi se, ndonëse asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta kthejë jetën e humbur dhe as ta zbusë dhimbjen e familjes, krimet e tilla, përfshirë dhunën ndaj grave dhe femicidin, kërkojnë përgjigje të ashpër, të qartë dhe pa asnjë kompromis.
Si Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare kundër Dhunës, Ministrja Gërvalla ritheksoi se adresimi i dhunës ndaj grave mbetet prioritet i përditshëm institucional dhe një betejë e vazhdueshme që kërkon angazhim të pandërprerë.
“Efikasiteti i institucioneve tona matet edhe me vendosmërinë e dënimeve që shqiptohen. Dënimet duhet të jenë në përputhje me peshën e krimit, duke dërguar një mesazh të qartë se dhuna dhe vrasjet nuk tolerohen dhe nuk relativizohen në asnjë rrethanë”, u shpreh tutje Ministrja.
Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për forcimin e mekanizmave të parandalimit, përmirësimin e reagimit institucional dhe thellimin e koordinimit ndërinstitucional, në mënyrë që asnjë rast i dhunës të mos mbetet pa trajtim dhe asnjë viktimë pa mbrojtje.
“Shoqëria jonë nuk mund të tolerojë më as heshtjen, as normalizimin e dhunës. Kjo është vijë e kuqe. Dhe kjo vijë duhet të mbrohet me drejtësi, përgjegjësi dhe veprim të pandërprerë”, përmbylli Ministrja Gërvalla në reagimin e saj.






