Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla nuk e ka thënë asnjë fjalë për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u shprehur se “ka reaguar kryeministri” dhe duke pretenduar se ajo po e bën punën rreth kësaj në institucionin që e drejton.
Gërvalla në një konferencë për media ku doli të flasë për Byronë e konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme, mori disa pyetje në lidhje me heshtjen e saj për dënimin e çlirimtarëve.
Fillimisht, ministrja e Qeverisë Kurti deklaroi se nuk ka bashkëpunuar me Gjykatën Speciale:
“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimi, është bërë “Bozë”, i kam shpjeguar disa herë nuk ka në asnjë hallkë, asnjë pikëtakim timin as direkt as indirekt. Edhe pak durim, aktgjykimi do të vijë dhe do ta shohim shpejt. Ata që më së shumti kanë bërtitur në këtë lëmi, më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen për një moment që nuk kanë dashur t’i dëgjojnë faktet”.
Gërvalla pretendoi se nuk ka heshtur për dënimin e çlirimtarëve, duke thënë se për këtë ka folur Albin Kurti.
Ajo kërkoi të tregohet profesionalizëm “pa shumë bertima”.
“Unë nuk kam heshtur, jam ministre e Drejtësisë, kryeministri ka dhënë një deklaratë. Unë bashkë me ekipin i jam futur punës të përgatitemi për një betejë, sepse është betejë ligjore, jo e deklaratave në media. Duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kohë të ftoftë, pa shumë bertima, të përgatitemi për instancën e ardhshme.
Është e drejtë e secilit qytetarë të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër, më në fund jetojmë në një shtet demokratik. Prandaj, nuk e komentoj kërkesat për dorëheqja, nuk është e imja as t’i imponoj dikujt dorëheqjen, as t’ia ndaloj fjalën askujt”, ka thënë ajo.






