Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Liridon Germizaj, ka thënë se propozimet e AfD-së për shtetësinë gjermane nuk do të kenë qasje retroaktive ndaj shqiptarëve që tashmë e kanë shtetësinë gjermane, por do të synojnë të kufizojnë në të ardhmen parimin e dyshtetësisë.
“Këta nuk do të merren në qasje retroaktive me shumë shqiptarë që tashmë e kanë shtetësinë gjermane atje, por ideja e tyre është që në të ardhmen, kurdo që fillon të aplikohet apo kur ka kërkesa për marrjen e shtetësisë gjermane, ta kufizojnë në masë të madhe parimin e dyshtetësisë”, tha Germizaj në “Edicionin Special” në Klan Kosova.
Ai ka shpjeguar se, sipas ligjit aktual në Gjermani, qytetarëve që e fitojnë shtetësinë gjermane u lejohet të mbajnë edhe shtetësinë e Kosovës.
Sipas Germizajt, nëse AfD do të vinte në pushtet dhe do të ndërmerrte masa konkrete, mund të kërkohej që shtetasit gjermanë me origjinë shqiptare të hiqnin dorë nga shtetësia kosovare.
“Po ashtu, te pjesa e natyralizimit, AfD-ja në programin e vet politik ka paraparë ta rrisë periudhën e kërkuar, nga pesë vite që është tani, të rritet në më shumë se pesë vite – tetë ose dhjetë, varësisht prej parashikimeve dhe planifikimeve të tyre. Pra, çdo qytetar që synon ta fitojë shtetësinë përmes natyralizimit, të mos e bëjë dot brenda pesë viteve, por kjo periudhë të zgjatet dhe t’i kushtohet shumë rëndësi vetë procedurës. Të ketë kritere më rigoroze, kushte më të rrepta e më strikte sa i përket njohjes së kulturës, historisë gjermane, gjuhës dhe të gjitha aspekteve të tjera. Dhe natyrisht, personi apo qytetari në fjalë që synon shtetësinë gjermane, të ketë një bazë të qëndrueshme, të fortë, si dhe një profil profesional të mirë e të vlefshëm”, deklaroi ai.






