Gecaj: Kushtet për hapjen e Urës së Ibrit janë pjekur, por rreziqet ende nuk janë eliminuar

- Advertisement -

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj, ka vlerësuar se janë krijuar parakushtet për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, por ka paralajmëruar se situata e sigurisë duhet të vazhdojë të monitorohet me kujdes.

Gecaj ka thënë se vendimit për hapjen e urës i paraprin një proces i gjerë i vlerësimit të situatës së sigurisë, si brenda Kosovës ashtu edhe në raport me zhvillimet ndërkombëtare.

“Sigurisht që kur merren vendime të tilla, paraprakisht ka një proces kompleks i cili trajtohet në shumë drejtime, sepse nuk ka këtu të bëjë vetëm me çështjen e thjeshtë a po e hapim apo s’po e hapim urën, por analizohet mirë situata në përgjithësi. Jo vetëm në kontekstin e asaj që ndodh brenda në Kosovë, mirëpo edhe në kontekstet e raporteve ndërkombëtare, të këtyre krizave të mëdha që i kemi aktualisht. Dhe në bazë të kësaj arrihet deri te një përfundim se a mund të ndërmerret një veprim i caktuar apo jo, dhe në këtë rast po flasim për hapjen e Urës së Ibrit”, tha ai.

Sipas tij, hapja e urës është në vazhdën e procesit të bartjes së përgjegjësive dhe kompetencave nga prania ndërkombëtare te autoritetet kosovare.

“Ju i përmendët bartjen e kompetencave prej pranisë ndërkombëtare tek autoritetet kosovare. Kjo është një proces që ka zgjatur përgjatë këtyre viteve prej shpalljes së pavarësisë e deri sot, dhe leja apo ideja që të hapet Ura e Ibrit për kalim të automjeteve është në fakt në vazhdën e këtij procesi, është në përputhje me këtë proces i cili ka filluar shumë më herët dhe po vazhdon edhe tani të zbatohet”, tha ai.

Megjithatë, Gecaj theksoi se vlerësimi pozitiv i situatës nuk nënkupton se të gjitha rreziqet e sigurisë janë eliminuar, duke përmendur edhe deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Dhe unë mendoj që vlerësimi duhet të jetë bërë një vlerësim i mirë dhe real, dhe është pa që edhe për sa i përket gjendjes aktuale të sigurisë brenda për brenda territorit të Kosovës, edhe për sa i përket situatës globale të sigurisë, janë arritur disa parakushte dhe ka mundësi që të hapet kjo urë. Por, megjithatë, kjo nuk nënkupton që të gjitha rreziqet janë të eliminuara dhe nuk janë prezente. Ato mund të shfaqen herë pas here, ju e keni parë shumë mirë që pikërisht këtyre ditëve patëm një deklaratë shumë të ashpër të presidentit serb Vuçiq, i cili dëshiron që të devijojë rrjedhën e ujit të Liqenit të Ujmanit. Dhe kjo është vetëm një tregues që Serbia ende nuk është pajtuar me vetveten në kuptimin që ta kuptojë që situata ka ndryshuar dhe rrethanat janë të tjera tashmë në Kosovë dhe në Evropë në përgjithësi”, tha ai.

Eksperti i sigurisë kërkoi që institucionet të mbeten vigjilente edhe pas hapjes së urës.

“Prandaj duhet të jemi vigjilentë, syhapur, të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt, megjithëse unë shumë jam i bindur dhe besoj që vlerësimi në shumicë është një vlerësim real, por kjo nuk nënkupton që duhet të jemi komod”, tha ai.

Gecaj tha se procesi i bartjes së kompetencave te institucionet e Kosovës duhet të vazhdojë, duke e konsideruar edhe Urën e Ibrit pjesë të këtij procesi.

“Kosova ka qenë gradualisht duke ecur në një rrugë të mirë, dhe kur diçka fillon dhe e ka një nismë në drejtimin e duhur, ajo herë pas here mund të ketë situata të cilat reflektohen me batica dhe zbatica, po duhet të përfundojë atje për ku është drejtuar. Dhe kështu situatash kemi pasur, sidomos këto 4-5 vitet e fundit. Mirëpo përfundimi prapë duhet të jetë aty ku është paraparë edhe më herët dhe është duke vazhduar, që këto kompetenca qysh janë bartur në të kaluaren gradualisht tek institucionet e Kosovës, të barten edhe tani e tutje. Dhe një prej këtyre rasteve është edhe rasti me Urën e lumit Ibër”, tha ai.

Gjatë së shtunës u raportua në media se Bashkimi Evropian konsideron se kushtet janë pjekur për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave. /EO

Të ngjashme

Të fundit