Gazetari kroat Domagoj Margetiç ka bërë të ditur se është ftuar nga Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës për të dhënë dëshmi në kuadër të hetimeve për rastin “Sarajevo Safari”.
Përmes një postimi në Facebook, Margetiç tha se thirrja nga Prokuroria ka ardhur vetëm pak ditë pasi prokurorët e Bosnjës dhe Hercegovinës morën pjesë në një takim të organizuar nga agjencia e Bashkimit Evropian, EUROJUST, kushtuar hetimeve për këtë rast, duke theksuar se kjo e ka ngritur çështjen në nivel evropian.
“Më lejoni t’ju kujtoj se kjo thirrje vjen vetëm pak ditë pasi prokurorët e Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës ishin të pranishëm në një takim në agjencinë e BE-së EUROJUST mbi hetimet e këtij rasti. Menjëherë pas këtij takimi, Prokuroria më thirri për të dëshmuar. Sigurisht, do t’i përgjigjem thirrjes dhe do të sjell të gjitha provat”, shkroi ai.
Në fund të reagimit të tij, Margetiç shtoi edhe një deklaratë me tone të forta, duke shkruar: “Dhe në rast se më ndodh diçka para dëshmisë, jju lutem kontaktoni zyrën e Aleksandar Vuçiçit në rrugën Andrićev Venac në Beograd”.







