Zvicra e ka mposhtur me rezultat 2:0 Italinë, duke prekur fazën çerekfinale të “EURO 2024”.
Freuler dhe Vargas ishin dy autorët e golave për “helvetikët”.
E gazeta e njohur italiane “Tuttomercatoweb”, i ka kushtuar vëmendje edhe lojës së kapitenit të kombëtarës zvicerane, Granit Xhaka, i cili në vazhdimësi pati paraqitje të mira deri më tani duke arritur që dy herë gjatë fazës së grupeve të shpallet “Futbollist i ndeshjes”.
Për Xhakën, kjo gazetë shkroi se “nuk i kishte lënë futbollistët italianë që ta prekin topin”.
Ai së bashku me Remo Freulerin, e dominuan komplet ndeshjen.
“Freuler dhe Xhaka dominuan ndeshjen e djeshme ndaj Italisë, në një ndeshje që asnjëherë nuk ishte realisht në diskutim. Freuler, përveç golit të hapjes, e certifikoi paraqitjen me një ecuri të vazhdueshme, së bashku me Xhakën që nuk i la lojtarët tanë të preknin topin. Formë e shkëlqyer fizike dhe tani në çerekfinale zviceranët duan të vazhdojnë kështu”, shkruan kjo gazetë.
Pas eliminimit të kampionit në fuqi, skuadra e Murat Yakin, do të ketë punë në çerekfinale me fituesin e ndeshjes Angli – Sllovaki.