Gashi: Vetëvendosje nuk e ruan rezultatin e fundit

- Advertisement -

Analisti politik Astrit Gashi vlerëson se zgjedhjet e 7 qershorit do të sjellin lëvizje të konsiderueshme në rezultatin e partive politike, duke parashikuar rënie për Lëvizjen Vetëvendosje dhe rritje për partitë opozitare.

“Do të ketë lëvizje të numrave më 7 qershor. Nuk shoh një rrugë që partia fituese e 51.1 për qind të zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje, ta ruajë atë rezultat. Shoh një lëvizje te Vetëvendosja dhe kjo lëvizje do të jetë poshtë”, ka deklaruar Gashi ne emisionin “Debat Plus” ne TV Dukagjini.

Sipas tij, aktualisht është e vështirë të bëhen parashikime të sakta për shkak të shumë faktorëve të panjohur, por qytetarët po japin sinjale se mund të ketë ndryshime në mbështetjen elektorale.

Duke folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Gashi tha se pret një rikuperim të saj krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

“Do të ketë rritje të LDK-së krahasuar me rezultatin e dhjetorit. Potencialisht mund t’i afrohet rezultatit të shkurtit, pa e përjashtuar atë. Edhe 17 apo 18 për qind mund të ndodhë. Qytetari mund të befasojë”, u shpreh ai.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, Gashi parashikon stabilitet me mundësi të një rritjeje të lehtë.

“PDK-ja ka stabilitet me potencial për të fituar një ose dy deputetë më shumë. Zhvillimet me Komandant Remin, Ramiz Lladrovcin dhe Fatmir Limajn mund të ndikojnë pozitivisht. Gjithashtu, edhe sentimenti rreth Hagës mund ta mbajë aktiv elektoratin e PDK-së dhe ta rrisë mobilizimin”, tha ai.

Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gashi vlerësoi se kjo parti do të arrijë ta kalojë pragun zgjedhor, ndonëse gara mbetet e ngushtë.

“AAK-ja nuk besoj se bie nën prag. Votat tradicionale të Ramush dhe Daut Haradinajt mbesin aty, ndërsa Ardian Gjini mund të sjellë vota shtesë. Në Prizren mund të ndikojë edhe Zafir Berisha, ndërsa edhe Nasim Haradinaj ka një ndikim të caktuar. Ekziston një solidaritet që AAK-ja të mos mbetet jashtë Kuvendit”, deklaroi Gashi.

Ai shtoi se mosgarimi i Nismës në këtë format zgjedhor mund të krijojë hapësirë shtesë për AAK-në në disa zona, veçanërisht në Malishevë.

Megjithatë, Gashi theksoi se rezultati përfundimtar do të varet nga pjesëmarrja e qytetarëve në votime dhe nga mënyra se si elektorati do të reagojë ndaj fushatës.

“Rezultati varet nga dalja në zgjedhje, nga fakti se kush do të mobilizohet më shumë dhe kush do të ndëshkohet nga votuesit. Nga tubimet po shihet se nuk ka ndonjë vrull të madh. Është fundjavë, moti pritet të jetë i mirë dhe shumë qytetarë mund të zgjedhin aktivitete të tjera. Për një parashikim të saktë të ndarjes së mandateve, sot është ende herët”, përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit