Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi punimet e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës i ka cilësuar të dobëta.
Gashi tha se kur një shumicë parlamentare është aq shumë e dobët, atëherë edhe hulumtuesit me të drejtë mund të vijnë te konstatimi se ky sesion, ishte më i dobët se ai paraprak.
“Shkaku i kësaj pasoje është vetë shumica parlamentare. Sinqerisht është për të ardhur keq për nivelin e dobët të kësaj shumice parlamentare”, tha Gashi për Express.
Gashi deklaroi se LDK ka dhënë maksimumin e mundshëm në propozime, ligje, rezoluta, komisione parlamentare.
“Po ashtu, vlen të theksohet se deputetët e LDK-së, ashtu si përherë i kanë përkrahur dhe votuar marrëveshjet ndërkombëtare, duke e dëshmuar në vazhdimësi se interesi i shtetit është mbi të gjitha”, shtoi ai.