Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se e ka parë me keqardhje mosvotimin e Komisionit Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike në Kosovë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai u shpreh se e sheh me keqardhje tentimin për imponim të mënyrës së deklaruarit dhe të të menduarit në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar këtu shefen e deputëtëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e cila tha se për shkak të debatit që u bë në Kuvend, ata votuan kundër këtij komisioni, shkruan lajmi.net
Me thanë të drejtën, me keqardhje po i shoh disa probleme substanciale. E para dëshira me imponu mënyrën e të deklarumit dhe të mendumit të deputetëve të Kuvendit, atë smund ta bëjë askush në asnjë rrethanë. Se qysh mendojnë dhe deklarohen deputetët në Kuvend është e drejtë sovrane e tyre. Nuk mbajnë as përgjegjësi penale, kanë imunitet.”, tha Gashi.
Më tutje Gashi tha se nuk do të mund të mbahet e fshehtë çfarëdo që ka ndodhur. Ai tha se Komisionin do ta formojnë përmes mbledhjes së 40 nënshkrimeve, pasi është obligim.
“Po harroni edhe një send: Nuk mundeni me e mbajtë fshehtë, çkado që ka ndodhë, ka me u pa. Komisioni ka me u formu, i mbledhim 40 nënshkrime, është obligim, masnej ndaqi çoni emrat, ndaqi mos i çoni. Kot jeni t’u mundu me ba këso improvizimesh. Çka ke e papranueshme këtu me votu kundër, apo e patë veç ju e kërkush tjetër.”, tha Gashi.
I pari i deputëtëve të LDK-së tha se fakti i votës kundër nga Lëvizja Vetëvendosje për themelimin e këtij komisioni parlamentar nënkupton se “diçka po fshehet”.
“Kjo që ndodhi është e çuditshme. Kemi diskutuar në kryesi të Kuvendit, ka një grup parlamentar, një nismë për formimin e një Komisioni Hetimor, i cili ka një objekt pune, ka afat kohor, ka buxhet, ka një propozim se si duhet të formohet. Kemi qenë dakord për formulën dhe për të gjitha. Tash votojnë kundër sepse dikush foli diçka që nuk na pëlqei. Për me e hetu një punë që ka ndodhë, mund të jetë e mirë si punë, dhe i përgëzojmë për punën e mirë, nëse ka diçka me mshefë, atëherë votimi kundër jep indicie që ky komision patjetër duhet me u ba, çka po doni me mshefë?”, tha ai.
Ai kritikoi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që nuk votuan këtë Komision Parlamentar duke thënë se nuk është arsye për mosvotim, debati midis deputëtëve të Kuvedit të Kosovës dhe shtoi se “komisioni do të formohet dhe e vërteta do të dalë. Në atë moment nuk ka gjë që e ndal. Krejt çka bëtë, është që u koritët duke votuar kundër.