Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë gjithmonë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, si dhe ofrimin e sigurisë e stabilitetit në vend.
Kështu u tha në konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”, në të cilën u lavdërua arritja e FSK-së ndër vite.
“Gjatë këtij rrugëtimit të ndërlikuar, asnjëherë nuk kemi qenë të vetëm, partnerët tanë ndërkombëtarë kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin, modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve tona, për këtë falënderimet tona shkojnë jo vetëm për ndihëm materiale, po edhe për përkushtimin e treguar për stabilitet në rajon. FSK-ja qëndron e fortë dhe e gatshme për të përmbushur misionin si garantues për paqe ndërkombëtare”, tha Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari tha se mbështetja e miqve është thelbësore për zhvillimin e forcave, e cila është shndërruar në storje suksesi.
Unë si komandant vazhdimisht jam koordinuar me partnerët tonë që të shtyjmë përpara projektet tona të mëdha pasi që kjo është thelbësore për udhëtimin tonë përpara. Kam theksuar vazhdimisht që ne trajnohemi, stërvitemi, bashkëzbarkojmë vetëm me shtetet e NATO-s dhe kjo është tregues i seriozitetit tonë për fokusin tonë strategjik për anëtarësim në aleancën më të rëndësishme aleate në botë”, tha Jashari.
Ndërkaq, Christian Nawrat, gjeneral i zyrës ndërlidhëse dhe këshilluese të NATO-s në Kosovë tha se NATO mbetet plotësisht e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, mbarë rajonin, veçanërisht në sfondin e tensioneve për të cilat të gjithë jemi të vetëdijshëm.
“NALT është një nga shtyllat e NATO-s për këtë mbështetje siç udhëzohet nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, puna jonë ndihmon strukturën civile që mbikëqyr FSK në zhvillimin e politikave të nevojshme”, tha ai.
Edhe ambasadorët përsëritën mbështetjen ndaj FSK-së në të gjitha fushat.