Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pësuar lëndime të lehta gjatë një trajnimi me municione në njërin prej poligoneve të FSK-së.
Përmes një njoftimi, Ministria ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur më herët, duke reaguar pas raportimeve në media për shpërthimin e një municioni gjatë ushtrimeve ushtarake.
Në njoftim thuhet se gjatë trajnimeve me municione, FSK-ja përballet me rrezikshmëri të lartë, por paraprakisht ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e rrezikut dhe mbrojtjen e personelit.
“Sa i përket njoftimeve nga mediat lidhur me lëndimin e lehtë të një pjesëtari të FSK-së, gjatë trajnimit ju informojmë që rasti ka ndodhur më herët në një nga poligonet e FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë realizimit të trajnimeve me municione ballafaqohet me rrezikshmëri të lartë dhe merr paraprakisht të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, duke përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se në secilin aktivitet të FSK-së marrin pjesë edhe ekipet mjekësore, të cilat janë të gatshme për evakuim të mundshëm.
Ministria ka theksuar se masat e sigurisë janë në përputhje me standardet e FSK-së dhe ato të NATO-s
“FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë në relacion me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël për shkak të masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut. Njëkohësisht, FSK mbetet e përkushtuar që vazhdimisht të rrisë sigurinë dhe garantojë ruajtjen e personelit”, thuhet në njoftim.






