Të zënë ngushtë nga shifrat e larta të tenderëve që prezantoheshin nga partitë opozitare, deputetë e VV-së e lëshuan sallën, duke u arsyetuar se po fyhen nga kolegët e tyre opozitarë.
Paraprakisht, sallën e kishte lëshuar edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ishte i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar në atë mbledhje.
Pas seancës, ministria Aliu u mundua t`i reagonte opozitës nga distanca.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai nxori një grafikon, ku akuzonte së më shumë tendera një burimor kishin dhënë disa komuna që qeverisen nga partitë opozitare.
“Kontratat njëburimore janë të opozitës, siç dëshmojnë edhe shifrat”, ka shkruar ai.
Më pas, edhe VV-ja ka shpërndarë të njëjtin grafikon.
“Opozita foli për kontrata njëburimore në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku për tri vite nga 584 milionë euro vetëm 0.04% janë kontrata njëburimore. Në graf shohim se si kjo opozitë në qytetet e saj kryesore ku qeverisë, vetëm për vitin 2023 ka mbrri deri në kontrata njëburimore sa 10% i buxhetit i komunës”, ka vlerësuar VV-ja.
Demantimi i grafikonit
Pretendimet e ministrit Aliu janë demantuar shumë shpejt.
Opozita dhe shoqëria civile kanë bërë me dije se të dhënat e prezantuar janë të manipuluara.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka bërë me dije se në grafikon është përfshirë vetëm pjesa e planifikimit hapësinor të ministrisë dhe jo ajo e infrastrukturës, ku janë dhënë tenderë me miliona euro.
“Ministria e Infrastruktures dhe Ministria e Planifikimit Hapesinor kane qene dy ministri te ndara, te cilat ne kete formacion qeverises, jane fuzionuar ne nje ministri te vetme. Te ekspozuar, me hajni milioneshe, permes tendereve njeburimor, zyra e propagandes e partise ne pushtet, e merr dhe vendos ne grafikon, vetem pjesen e planifikimit hapesinor, qe eshte vetem nje pjese e Ministrise dhe e ben inekzistente pjesen tjeter te Ministrise, perkatesisht pjesen e infrastrukures (tenderat e rrugeve). Te kjo pjese, vlera e tendereve njeburimor eshte 10 milione euro (54 kontrata me nje ofertues te vetem)”, ka shkruar ai.
Zyrtari i LDK-së ka thënë se grafikoni përmban edhe një anë tjetër të manipulimit.
“Kjo eshte vetem njera ane e manipulomit. Pjesa tjeter eshte ne krahasimin me komunat: nje cope te nje Ministrie, e krahason me disa komuna, duke i injoruar faktet tjera qe jane te dokumentuara dhe baze per dyshim per korrupsion dhe keqperdorim te parase publike. Po i ritheksoj edhe njehere: 781 kontrata njeburimore, pra me nje ofertues te vetem, pa procedure, pa konkurrence. – 209 milione euro vlera totale e ketyre tenderëve”, ka shkruar ai.
Edhe Kenan Gashi nga organizata Avonet e ka konfirmuar se grafikoni i pushtetit nuk ka qenë i vërtetë.
“Nga 26.02 2022 deri 11.12 2023 unë i kam identifikua 35 kontrata të negociuara që i ka bërë ministria e infrastrukturës. Kjo është marrë nga sistemi i prokurimit”, ka thënë Gashi në Klan Kosova.
Ai ka bërë me dije se vlera e kontratave njëburimeve është shumë më e madhe se ajo që ka prezantuar ministri.
“Nuk e kam nxjerr vlerën e përgjithshme të tyre, por ka kontrata që ka vlerën prej miliona euro. Pra, bëhet fjalë për një vlerë të madhe të 35 kontratave që janë nënshkruar nga kjo periudhë. Pra, flasim për një institucion që ai e diskuton dhe e trajton”, është shprehur ai.
Sipas tij, bëhet fjalë për kontrate me dhjetra miliona euro.
“Kemi kontrata të formave të ndryshme që nuk bëhet fjalë për 5 milionë apo 10 milionë. Këtu bëhet fjalë për vlera shumë më të larta se që i ka paraqitur ministri”, ka thënë Gashi. /Nacionale/