Foda: Muriqi rikthehet te Kosova në shtator

- Advertisement -

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka konfirmuar mungesën e Vedat Muriqit në dy ndeshjet miqësore të qershorit, duke bërë të ditur se sulmuesi ka vendosur të pushojë pas një sezoni të ngarkuar me Mallorcan.

Në konferencën për media, tekniku gjerman tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Muriqin dhe se vendimi është marrë në mirëkuptim të plotë, për shkak të angazhimeve të shumta të futbollistit gjatë sezonit.

“Kam pasur kontakt me Vedat Muriqin para 10 ditësh për herë të fundit. Kemi folur disa herë së bashku. Ai ka luajtur pothuajse çdo ndeshje me Mallorcan dhe ka pasur një sezon shumë të gjatë”, deklaroi Foda.

Selektori bëri të ditur se kapiteni i Kosovës do t’i bashkohet sërish ekipit kombëtar pas pushimit veror.

“Vedati, pas kësaj vere, do të rikthehet në Kombëtare në muajin shtator dhe do ta mbështesë ekipin”, shtoi ai.

Foda theksoi se pushimi është i nevojshëm për sulmuesin kosovar, pas ngarkesës së madhe fizike gjatë edicionit në La Liga.

Ndërkohë, Kombëtares nuk i janë bashkuar ende as Amir Shaipi dhe Bersant Celina. Ky i fundit mungon për shkak të angazhimeve me klubin suedez AIK. Lajmi është konfirmuar edhe nga menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala.

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë miqësore më 31 maj në transfertë ndaj Republikës së Çekisë, ndërsa më 7 qershor do ta presë Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas miqësoreve, “Dardanët” do të nisin garat në Ligën e Kombeve, ku bëjnë pjesë në Grupin 3 të Ligës B së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.

Ndeshjen e parë në këtë kompeticion, Kosova do ta luajë më 24 shtator ndaj Irlandës në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Austrinë në Vjenë.

Të ngjashme

Të fundit