Sipas burimeve të cituara nga “Financial Times”, në skenarët e shqyrtuar përfshihen edhe objektiva në Evropën Juglindore.
Dy burime me njohuri për diskutimet thanë se forcat iraniane kanë vlerësuar mundësinë e goditjes së instalimeve ushtarake amerikane në vende si Bullgaria.
Sofja ka miratuar përdorimin e bazës ajrore Besmer nga avionët amerikanë të furnizimit me karburant.
Në listën e objektivave të mundshëm për hakmarrje përmendet edhe Qiproja, ku baza britanike në Akrotiri u godit nga një dron në mars.
Ndërkohë, ushtria iraniane ka shqyrtuar veçmas edhe mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të fibrave optike në Ngushticën e Hormuzit, nëse lufta përshkallëzohet.
Teherani përgatitet për një raund të ri lufte
Sipas burimeve të “Financial Times”, në Teheran po rritet bindja se një përplasje e re ushtarake është çështje “kur” dhe jo “nëse”.
Negociatat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kanë ngecur, ndërsa Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka vendosur figura të linjës së ashpër në pozicione të rëndësishme të sigurisë dhe ushtrisë.
Të martën, Trump deklaroi se nuk kishte asnjë bisedë apo kontakt të planifikuar me Teheranin.
Burimet thonë se, në rast të një lufte të re në shkallë të gjerë, Irani mund të braktisë strategjinë e mëparshme, e cila ishte përqendruar kryesisht te objektivat amerikane, infrastruktura energjetike dhe instalime të tjera në Lindjen e Mesme. Në vend të kësaj, përgjigjja iraniane mund të shtrihet shumë përtej rajonit.
Një prej burimeve paralajmëroi se nëse SHBA-të “shkojnë shumë larg”, Irani do të mbrohej me çdo kusht dhe mund ta çonte konfliktin në Evropë.
Sa real është kërcënimi për Evropën?
Siddharth Kaushal, studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) në Londër, e ka përshkruar kërcënimin e raketave iraniane ndaj objektivave në Evropë si serioz, por të kufizuar.
Sipas tij, Irani mund të përdorë raketa balistike me rreze të mesme veprimi kundër instalimeve amerikane në Evropën Jugore dhe Juglindore. Megjithatë, aftësia e këtyre raketave për të shkaktuar dëme të mëdha zvogëlohet në distanca më të gjata.
Irani ka treguar tashmë se është i gatshëm të tentojë goditjen e objektivave shumë larg territorit të tij. Në javët pas nisjes së luftës nga SHBA-të dhe Izraeli, Uashingtoni e akuzoi Teheranin për lëshimin e raketave drejt Diego Garcias, bazës së përbashkët amerikano-britanike në Oqeanin Indian. Raketa nuk arritën objektivin.
Në mars, Turqia njoftoi se mbrojtja ajrore e NATO-s kishte kapur disa raketa balistike të lëshuara nga Irani. Po atë muaj, baza britanike në Akrotiri të Qipros u godit nga një dron, për të cilin zyrtarët perëndimorë dyshuan se mund të ishte iranian ose i përdorur nga forca të lidhura me Iranin.
Linja e ashpër forcohet në Teheran
Brenda regjimit iranian ka edhe zëra që paralajmërojnë kundër një përshkallëzimi të pakontrolluar. Megjithatë, krahu i linjës së ashpër argumenton se SHBA-ve nuk mund t’u besohet për zbatimin e një marrëveshjeje dhe se Teherani duhet të rrisë koston për Uashingtonin.
Në këtë kamp bën pjesë edhe Mohsen Rezaei, ish-komandant i Gardës Revolucionare, i cili javën e kaluar u emërua nga Khamenei në një post të lartë të aparatit të sigurisë.
Emërimi i tij është interpretuar nga analistët iranianë si shenjë se zërat më të moderuar dhe negociatorët e mundshëm po humbasin terren, ndërsa Teherani përgatitet për një përballje më të ashpër.
Mesazhi që burimet pranë regjimit i atribuojnë Teheranit është i qartë: nëse SHBA-të godasin infrastrukturën iraniane ose e përshkallëzojnë konfliktin, përgjigjja e Iranit mund të mos kufizohet më në Lindjen e Mesme, por të shtrihet deri në objektivat amerikane në Evropë.






