Pas gjithë prodhimeve që janë bërë dedikuar jetës së Michael Jackson, ky që po përflitet së fundmi mezi po pritet nga fansat. Një prodhim që vjen si bashkëpunim i Lions Gate dhe Universal Pictures, tashmë ka zbuluar pothuajse të gjithë kastin e aktorëve që do jenë protagonistë.
Jayden Harville do luajë Jermaine Jackson, Jaylen Lyndon Hunter do personifikojë Marlon Jackson, Judah Edwards do jetë Tito Jackson, Nathaniel Logan McIntyre vjen si Jackie Jackson dhe siç është konfirmuar më herët Juliano Krue Valdi do jetë Michael Jackson i ri.
Por kasti do ndryshohet sërish kur ngjarjet të zhvendosen në jetën e Michael kur ishte i rritur, me Jamal R. Henderson si Jermaine, Tre Horton si Marlon, Rhyan Hill si Tito dhe Joseph David-Jones si Jackie. Ata do performojnë të gjithë krah nipit të vërtetë të Michael, Jaafar Jackson, roli i të cilit si protagonist u njoftua në 2023-shin.
Ky prodhim po pritet me shumë emocion nga fansat, por edhe vetë nga stafi prodhues. Regjisori, Antoine Fuqua, i njohur për “Training Day” dhe “The Equalizer” ka deklaruar se kasti është i mrekullueshëm.
Pritet që shumë shpejt të zbulohet edhe data kur do nisë puna. Mbreti i muzikës pop ndërroi jetë në 2009-ën në moshën 50-vjeçare. Filmi në fjalë do trajtojë gjithë jetën dhe karrierën e tij në mënyrë të përmbledhur.