FIFA habit botën, nxjerr në shitje barin e finales së Kupës së Botës

- Advertisement -

FIFA ka gjetur një mënyrë tjetër për të përfituar financiarisht nga Kupa e Botës 2026, duke vendosur në shitje copa të barit që do të përdoret në finalen e 19 korrikut në stadiumin MetLife të New Jerseyt.

Çdo copë bari shitet për 450 dollarë, ndërsa FIFA e prezanton produktin si një suvenir ekskluziv për koleksionistët dhe tifozët e futbollit.

“Bëhuni pronar i një pjese autentike të historisë së futbollit me një copë origjinale të fushës së finales së Kupës së Botës 2026, e ruajtur përgjithmonë në një kapsulë premium prej akriliku me një USB suvenir”, thuhet në përshkrimin e produktit në dyqanin zyrtar të FIFA-s.

Sipas organizatës, çdo copë përmban një fragment origjinal të fushës ku do të zhvillohet finalja, ndërsa paketa përfshin edhe një certifikim autenticiteti dhe një kuti luksoze për ekspozim.

FIFA nuk ka sqaruar qartë dimensionet e copave të barit, ndërsa ka bërë të ditur se porositë do të dërgohen vetëm pas zhvillimit të finales dhe vetëm në adresat brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës.

Kjo nuk është hera e parë që FIFA shet pjesë të fushës së një ndeshjeje të madhe. Edhe pas finales së Kupës së Botës për Klube të vitit të kaluar, ku Chelsea mposhti Paris Saint-Germainin, organizata kishte nxjerrë në ankand copa të barit të stadiumit MetLife.

Fusha e stadiumit MetLife ka qenë objekt kritikash gjatë turneut, pasi zakonisht përdoret me sipërfaqe artificiale për ndeshjet e NFL-së, ndërsa disa lojtarë dhe trajnerë janë ankuar për cilësinë e barit të vendosur për Kupën e Botës.

Përveç suvenireve, FIFA është kritikuar edhe për çmimet shumë të larta të biletave të finales, të cilat arrijnë deri në 32 mijë e 970 dollarë, ndërsa paketat VIP me ushqim dhe pije kushtojnë deri në 34 mijë e 500 dollarë./Telegrafi

Të ngjashme

Të fundit