2 shtator, 2024 – Sonte, në ora 19:20, organizata “Action For Health” organizoi një aktivitet të veçantë në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri. Kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u ndriçuan me ngjyrë ari, një simbol që përfaqëson solidaritetin dhe përkushtimin ndaj fëmijëve që po përballen me kancerin dhe për familjet e tyre. Ky akt solidarizimi pati edhe mbështetjen e Federatës së Futbollit e Kosovës dhe ekipit kombëtar.
Në këtë aktivitet, pjesëmarrës ishin futbollistët dardanë Fidan Aliti, Mërgim Vojvoda dhe Elvis Rexhbeçaj, të cilët në mënyrë simbolike shprehën përkrahjen dhe solidarizimin e tyre për fëmijët e prekur nga kjo sëmundje e rëndë.
Prezenca e tyre në këtë ngjarje është një mesazh i fuqishëm për të gjithë, duke treguar se sporti dhe shoqëria janë të bashkuar në luftën kundër kancerit në fëmijëri.
Nezaqet Rukovci, udhëheqëse e organizatës “Action For Health” tha se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është rritja e ndërgjegjësimit për kancerin në fëmijëri dhe theksimi i rëndësisë së diagnostikimit të hershëm, teksa falënderoi Federatën e Futbollit të Kosovës dhe futbollistët dardanë për mbështetjen e tyre, duke vlerësuar mesazhin e inkurajimit dhe forcës që ata përçuan në këtë fushatë.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të bashkohen në përkrahje të këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.