Ferizaj bie nga Superliga

- Advertisement -

Rënia e Ferizajt nga elita tashmë është realitet.

Skuadra e drejtuar nga Arsim Abazi nuk arriti më shumë se një barazim dramatik 3:3 ndaj FC Prishtinës në udhëtim, rezultat që vulosi edhe matematikisht largimin e saj nga Superliga e Kosovës.

Ndeshja nisi më mirë për skuadrën nga kryeqyteti që kaloi në epërsi në minutën e 18-të. Megjithatë, Ferizaj reagoi shpejt dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 27-të, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

Drama vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Prishtina riktheu avantazhin në minutën e 67-të, por Ferizaj nuk u dorëzua dhe përmbysi gjithçka me dy gola të shpejtë, duke iu afruar një fitoreje jetike.

Kur dukej se mysafirët do të dilnin me tri pikë të arta, Prishtina goditi në momentet e fundit dhe barazoi rezultatin në 3:3, duke i shuar përfundimisht shpresat e Ferizajt për mbetje në elitë.

Pas këtij barazimi, Ferizaj mbetet në vendin e nëntë me 36 pikë, shtatë më pak se KF Llapi që mban pozitën e barazhit, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro deri në fund të kampionatit.

Në anën tjetër, Prishtina vazhdon në pozitën e katërt me 46 pikë të grumbulluara.

Të ngjashme

Të fundit