Ferati: Nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së

- Advertisement -

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, pavarësisht raportimeve të fundit në media, raporton EO.

Ferati tha se LDK-ja do të trajtojë me seriozitet çdo kërkesë që plotëson kriteret statutare, por theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë iniciativë e formalizuar brenda partisë.

“Kanë qarkulluar lajme ditën e djeshme, edhe gjatë ditës së sotme, tek të cilat nuk pashë ndonjë burim të cituar të informacionit, qoftë ndonjë eksponent serioz i LDK-së, qoftë ndonjë grup serioz të LDK-së, edhe deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar. Përndryshe, në momentin që ka kërkesa brenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh do të trajtohen nga ne si parti dhe do të shqyrtohen deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve. Për momentin, e deri më tani kur po flasim, nuk ka numër, as nuk ka nënshkrime të deponuara brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i shmanget procedurave statutare dhe ka dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj demokracisë së brendshme në parti.

“Përndryshe, jemi të gatshëm, e thashë edhe në fillim, që t’i trajtojmë ddhe normalisht të dalim deri në Kuvend. Kryetari Abdixhiku nuk është hera e parë, sigurisht e s’do të jetë as e fundit, i ka tri kuvende që i ka kaluar me votë të fshehtë edhe absolutisht aspak nuk është që i ikën procedurave statutare të LDK-së. Ai është një prej kryetarëve që e ka kultivuar në vazhdimësi demokracinë brenda LDK-së dhe demokracinë statutare brenda rregullave të statutit”, tha ai.

Për praninë e ish-presidentes Vjosa Osmani në zyrat e LDK-së dhe në takimin e fundit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Ferati tha se Osmani ka qenë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së dhe se fokusi aktual i partisë mbetet formimi i institucioneve.

“E para, nuk është veç sot që zonja Osmani është prezente në zyrën e LDK-së, është në baza ditore varësisht prej situatave që zhvillohen përbrenda LDK-së. Së dyti, ka qenë bartëse e listës së LDK-së me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm, që është organ që vendos për bartësen e listës. Së treti, LDK-ja fokus të agjendës e ka themelimin e institucioneve të Kosovës, dhe po mendoj që kjo është tema kryesore për krejt palët brenda përbrenda Lidhjes Demokratike, edhe po mendoj që është përgjigja kryesore që po e presin qytetarët e Republikës së Kosovës prej LDK-së, e jo se a po organizohet ose jo një kuvend”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit