Ferati: Brenda 7 ditësh i vlerësojmë dëmet nga breshri në Istog, i kërkova Ministrit kompensim urgjent për fermerët

- Advertisement -

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se komuna ka nisur menjëherë veprimet për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e djeshme të breshrit, ndërsa vlerësimi komunal do të përfundojë brenda shtatë ditësh kalendarike.

“Ditën e nisëm menjëherë duke ndërmarrë masa për dëmet e shkaktuara dje nga reshjet e breshrit. Së bashku me komisionin komunal diskutuam për hapat e radhës drejt mbështetjes që mund t’u ofrojmë fermerëve tanë. Si rezultat, komisionet janë në terren që nga mëngjesi i sotëm dhe vlerësimi komunal i dëmeve do të përfundojë në afat rekord prej 7 ditësh kalendarike”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Gjatë vizitave në terren, Ferati tha se së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, kanë parë nga afër pasojat e breshrit në sipërfaqet bujqësore dhe kulturat që ishin pranë vjeljes. Ferati tha se nga Muja kërkoi veprim urgjent për t’i kompensuar dëmet që i pësuan fermerët.

“Gjatë vizitave në terren, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, pamë nga afër pasojat që breshri kishte lënë në tokat e punuara dhe në frytin që ishte gati për vjelje, por që tashmë ishte shkatërruar pothuajse tërësisht. Nga ministri Muja kërkova që urgjentisht të veprojë në drejtim të kompensimit të dëmeve, në mënyrë që fermerët tanë të marrin mbështetjen e nevojshme sa më parë. Bashkë rimëkëmbemi, sepse puna nuk ndalet asnjëherë. Falë fermerëve tanë, as fatkeqësi të tilla nuk e ndalin përkushtimin për tokën”, shkroi ai.

Të ngjashme

Të fundit